Politike

Çelësat e shtëpive dhe prerjet e shiritave/ KQZ gjobit Veliajn. Kryebashkiaku: Do ta apeloj

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka gjobitur kryebashkiakun Erion Veliaj për promovim të aktiviteteve të ndaluara gjatë fushatës elektorale dhe mosdeklarim të tyre.

Gjoba vjen pas promovimit publik të dorëzimit të çelësave të shtëpive të shembura nga tërmeti dhe më pas të rindërtuara.

Mësohet se gjoba është në masën 825 mijë lekë, për 3 shkelje, atë të rregullave për aktivitetet e ndaluara, mosraportim të aktiviteteve dhe për promovim të aktiviteteve të ndaluara, konkretisht:

750 mijë lekë për shkelje të rregullave për aktivitetet e ndaluara

35 mijë lekë për mos raportim të aktiviteteve

40 mijë lekë për promovim të aktiviteteve të ndaluara

4 ditë më parë, LSI tha se Erion Veliaj ka shkelur pikën dy të vendimit numër 9 të KQZ-së për aktivitetet e ndaluara 4 muaj para zgjedhjeve në të paktën dy raste.

Përfaqësuesit e LSI-së identifikuan një postim të kryebashkiakut të Tiranës të datës 12 janar 2021, ku ka përuruar banesat e dy familjeve në fshatin Mumajes dhe një në datën 27 janar 2021 ku së bashku me kryeministrin Edi Rama dhe ministrin e Rindërtimit, Arben Ahmetaj kanë përuruar banesën e një familjeje në Vaqarr.

Veliaj: Do e apeloj vendimin! KQZ ka marrë përsipër të fusë opozitën në lojë

Kryebashkiaku Veliaj ka reaguar pas gjobës dhe është shprehur se do ta apelojë vendimin në KAS, pasi sipas tij është ndëshkuar sepse po bën punën e tij si kryebashkiak, duke u dhënë shtëpi njerëzve.

Ndërsa ka hedhur akuza ndaj opozitës për denoncimin, Veliaj për KQZ ka thënë se ka marrë përsipër të krijojë kushtet për të futur në lojë opozitën.

Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj tha se puna nuk do të ndalet dhe brenda 5 ditësh do të shkojë ankesa në KAS pasi nuk pajtohet me vendimin.

“Jam njohur edhe me lajmin, edhe akuzat. Ishte akuza nga opozita për të ndaluar Rindërtimin. Janë të dëshpëruar, duan të ndalojnë procesin. Gjumi nuk mund dot punën. Kam kohë të apeloj. Ka diçka të pandershme kur gjobitesh se punon, dhe bën me shtëpi njerëz që bëjnë me çadër.

Ndërkohë nuk gjobitesh nëse bëhesh me 5 vila, gjatë pandemisë dhe tërmetit, madje mund të kandidosh për kryeministër”, u shpreh Veliaj.    

Ndër të tjera, Veliaj thotë se “KQZ ka një sëkëlldi shumë të madhe, vjen prej opozitës që iku. Kjo është gjobë se pse njerëzit futen në shtëpi. Ne ruajmë distancën, heq maskën vetëm ai që është distancuar. Të gjithë mbajnë maskë, s’është gjobë shëndetësie. Por bëhet fjalë pse futëm njerëzit në shtëpi, dhe që Luli me Monikën të gjejnë shesh për përshesh”. 

Që pas 18 dhjetorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kufizuar qeverinë dhe zyrtarët shtetërorë 4 muaj para zgjedhjeve ku ndalohet shpërndarja e lejeve të legalizimeve, dhurimi i çelësave të shtëpive dhe një sërë aktivitetesh.

Aktivitetet e ndaluara

Dhurimi i çelësave të shtëpive

Prezantimi i projekteve

Shpërndarja e lejeve të legalizimeve

Prerja e shiritave


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë