Pas votimit të së martës për hapjen me kushte të negociatave me Shqipërinë, koalicioni qeverisës në Gjermani, CDU-CSU, ka publikuar një tjetër njoftim për të sqaruar vendimin e marrë nga dy grupet kryesore parlamentare në Bundestagun Gjerman.
Deklarata rithekson edhe njëherë për Shqipërinë është rekomanduar hapja në parim e bisedimeve, duke u vendosur kushte të rrepta.
“Ne kërkojmë për Shqipërinë kritere shumë më të rrepta se me Maqedoninë e Veriut: funksionimi dhe efikasiteti i sistemit të drejtësisë duhet të rivendoset dhe duhet miratuar vendimi për reformën zgjedhore. Deri në hapjen e vërtetë të kapitujve, duhen përmbushur kushte të tjera, siç është fillimi i procedurave kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar. Prandaj në negociata, kapitujt që do hapen të parët dhe të mbyllen së fundmi do lidhen me sundimin e ligjit dhe drejtësinë”, sqarohet në deklaratën zyrtare të Grupit Parlamentar CDU/CSU.
Me anë të këtij njoftimi, koalicioni qeveritar gjerman i bën thirrje aktorëve politike në vendin tonë të plotësojnë kushtet e vendosura.
“Duhen plotësuar kushtet që kemi vendosur. Duhet të nis puna dhe funksionimi i sistemit të drejtësisë. Si dhe zgjidhja e një reforme zgjedhore,” thuhet në reagimin e CDU/CSU.
Me anë të kësaj rezolute, Qeverisë Gjermane duket se po përpiqet t’i bëjë të qartë Shqipërisë, se nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten.
Në rezolutën e publikuar të martën, CDU CSU thekson se:
- Gjatë zbatimit të disa prioriteteve kyçe faktikisht u arrit progres, por gjithashtu ekzistojnë shumë deficite. Institucionet e reja për vetë-administrimin në fushën e drejtësisë faktikisht janë ngritur, por nuk janë akoma funksionale.
- Kultivim i drogës mundi të frenohej, por në vend të saj është rritur roli i Shqipërisë në trafikun e saj. Shqipëria mbetet sidoqoftë, bazë e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm.
- Shqipëria është në një krizë të rëndë politike pa zgjidhjen e së cilës hapja e negociatave vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme. Bundesatg i bën thirrje palëve politike të hedhin të gjithë hapat e mundshëm për të zgjidhur sa më shpejt krizën e rëndë politike.
- Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jo funksionale.
- Reforma Zgjedhore nuk është miratuar dhe rekomandimet e OSBE-ODIRH nuk janë zbatuar.
- Deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti nga Prokuroria për ata që akuzohen për blerje votash. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt.
- Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.
- Të hetohen zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë.
- Reforma e administratës publike po përparon ngadalë.
Të Gjelbrit kundër kushteve shtesë për Shqipërinë
"Ne, Të Gjelbrit, do ta miratojmë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE. Ky vendim vjen i vonuar dhe u vonua vetëm për shkak të taktikës së zvarritjes të disa pjesëve të grupit parlamentar CDU / CSU. Të dy vendet i kanë përmbushur mjaftueshëm kushtet. BE-ja tani duhet të tregojë se është një partner i besueshëm dhe të hapë bisedimet e anëtarësimit në BE", shprehet eksperti i Evropës Juglindore të Të Gjelbërve, Manuel Sarrazin në një deklaratë për Deutsche Welle-n.
Më tej ai shton, se "kushtet shtesë të formuluara nga koalicioni për Shqipërinë e tejkalojnë objektivin. Është e papranueshme që Shqipëria çdo vit të duhet të përmbushë kushte të reja për negociatat e anëtarësimit në BE. Kjo nuk është vetëm e padrejtë, por edhe e padenjë për një bashkëekzistencë evropiane" -thekson Sarrazin.
Të Gjelbrit janë partia e tretë që ka deklaruar tashmë hapur se do ta miratojnë çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pas miratimit të djeshëm të kërkesës së qeverisë gjermane nga grupet parlamentare CDU/CSU dhe SPD: Po pritet edhe nga liberalët, pasi e majta deri dje ishte ende në mëdyshje. Vetëm AfD, Alternativa për Gjermaninë është e mendimit se as Shqipëria dhe as Maqedonia e Veriut nuk janë gati për të çelur negociatat në BE.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.