Para

CASH-i na kushton shtrenjtë! Si dhe sa kursehet me pagesat elektronike

66 % e transaksioneve të bizneseve në vit bëhen në CASH. Përqindja është më e lartë ndër individë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bizneset shqiptare kryejnë rreth 18,2 milionë pagesa në vit ose 792 pagesa për një biznes në vit, nga të cilat 66% janë me para në dorë.
Përdorimi i CASH-it ndryshon sipas madhësisë së biznesit, ku ndërmarrjet mikro iniciojnë 93% të vëllimit vjetor të pagesave në CASH, ndërsa bizneset e mëdha 47% dhe gati treçereku i këtyre veprimeve kryhet në CASH.

Dhe kjo i kushton ekonomisë shqiptare sa 1,7 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Banka e Shqipërisë thotë se CASH-i është në shumicën dërrmuese instrumenti më i kushtueshëm.

Më tutje vijojnë kartat e debitit, kartat e kreditit dhe transfertat e kreditimit në formë letre, ku secila prej tyre i kushton ekonomisë rreth 0.2% të PBB-së. Pjesa e mbetur prej 0.2% e PBB-së është kostoja kumulative e burimeve të lidhura me debitimet direkte (në formë letër dhe elektronike), paraja elektronike dhe paraja në internet.

Vlerësimet tregojnë se ekonomia shqiptare ka një kosto të barabartë prej 2.5% të PBB-së së vendit, lidhur me përdorimin, emetimin dhe përpunimin e të gjitha instrumenteve të pagesave me vlerë të vogël. Kjo përkthehet afërsisht në 33.7 miliardë lekë ose 290 milionë dollarë.

Ata që ofrojnë shërbimet e pagesave dhe ofruesit e shërbimeve të infrastrukturës mbajnë rreth 40% të këtyre kostove, të ndjekur nga konsumatorët me 36%, bizneset me 23% dhe qeveria që mban 1% të kostos totale.

Kurse kur zëvendësohet CASH-i dhe pagesa të tjera në formë letër me pagesat elektronike në nivel ekonomie, Shqipëria mund të gjenerojë kursime vjetore afërisht sa 0.6% të PBB-së të vitit 2016 (në rastin e skenarit kur të gjitha instrumentet e pagesave aktuale në formë letër janë zëvendësuar me instrumente të pagesave elektronike).

Sipas BSH, sugjerohet që në Shqipëri mund të arrihen përmirësime të konsiderueshme në kontekstin e efikasitetit, nëse CASH-i dhe pagesat e tjera në formë letër, ose një pjesë e tyre, do të zëvendësoheshin me instrumente elektronike të pagesave me kosto të ulët.
Teksa kostoja aktuale e pagesave në formë letër në nivel ekonomie arrin në rreth 1.7% të PBB-së së vendit, ndërsa nga një konvertim prej 70% të pagesave nga letër në elektronike, kursimet mund të arrijnë në 0.9% të PBB-së.

Nga zëvendësimi i instrumenteve të pagesave, thotë Banka Qendrore, do të përfitonin një numër aktorësh, por përfitimet më të mëdha do të ishin për konsumatorët dhe bizneset, të cilët mbajnë edhe pjesën më të madhe të kostove, të ndjekur nga ofruesit e shërbimeve të pagesave/ infrastrukturës. Gjithashtu, një përdorim më efikas i pagesave elektronike mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për zhvillimin dhe rritjen ekonomike të vendit.

Të dhënat tregojnë se vëllimet e krijuara në instrumentet e pagesave elektronike si rezultat i zëvendësimit (pagesat e nisura nga konsumatori në cash në pikën e bashkëveprimit arrijnë në 99 milionë) dhe mund t’i kursenin bizneseve deri në 600 milionë lekë ($5.2 milionë) çdo vit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë