Futboll

Capello: Ronaldo më i miri që kam stërvitur, por dhe më problematiku

Futbolli është i çuditshëm. Mund të jesh lojtar i madh, por në të njëjtën kohë të krijosh edhe… probleme të mëdha. Të jesh më i miri nuk do të thotë domosdoshmërish ta çosh ekipin drejt fitores. E çuditshme por e vërtetë, ky mund të të jetë rasti i Fenomenit. Ronaldo (braziliani) në karrierë në nivel kombëtar ka fituar pak, në krahasim me rëndësinë e tij në historinë e futbollit. Me Brazilin ka bërë mrekullira, në kupat evropiane nuk çoi kurrë në shtëpi një Champions League, por kur flitet për kampionate ka fituar vetëm një, atë me Real 2002/03. Fabio Capello shpjegon se për Los Blancos… ishte një problem.

Tekniku friulan, duke folur për Sky Sport, është kthyer të flasë për eksperiencën e dytë në Madrid, atë në të cilën u kryqëzua me Ronaldon. Në mes të sezonit, braziliani u largua nga Real për tu transferuar tek Milan, duke humbur kështu rastin për të vënë në palmares një tjetër La Liga. Don Fabio tregon se, edhe pse ishte lojtari më i mirë që ka patur në dispozicion, braziliani i krijoi probleme. “Ronaldo ka qenë talenti më i madh që kam stërvitur ndonjëherë, por me raste ishte edhe ai që më krijoi më shumë probleme në dhomat e zhveshjes. Bënte festa vazhdimisht, një herë Van Nistelrooy më tha ‘mister, këtu në dhomat e zhveshjes qelbet era alkol’”.

Një talent problematik, që u largua nga Madrid pikërisht atë sezon dhe kryesisht për shkak të Capellos dhe holandezit. Tekniku kërkoi sulmuesin e Manchester United, që do të thoshte më pak hapësirë për Fenomenin. Në ketë mënyrë braziliani vendosi të largohet. Një zgjedhje që, paradoksalisht, i vuri krahë Los Blancos, siç shpjegon tekniku. “Kur iku tek Milan filluam të fitonim”. Kjo nuk do të thotë se braziliani nuk ishte një kampion. “Por nëse flasim për talent, ishte natyrisht më i madhi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë