Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare të futbollit, Lorik Cana, ka zhvilluar një bashkëbisedim virtual me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Sigurisht, fokusi i bisedës ishte zhvillimi i sportit dhe në veçanti i futbollit në Kosovë. Cana, pasi tregoi përvojën e tij personale, theksoi mes të tjerash se sfida më e madhe është që Kosova t’i rritë talentet në kampionatin e saj, duke ngritur së pari sistemin e duhur që do ta ndihmonte për ta bërë këtë gjë.
“Mund të them se në një moment kyç të rinisë time, nëse do të kisha qenë në Kosovë, është e paimagjinueshme që të bëja atë karrierë që bëra. Duhen kushtet që sporti dhe futbolli të ecin përpara, infrastruktura, pedagogët, është një sistem i tërë.
Kosova, 80% apo 85% të lojtarëve i ka të rritur jashtë, në vende të tjera, ndaj dhe them se sfida më e madhe është që me anë të një programi të qartë dhe një sistemi të duhur, të arrijmë në nivele të larta, duke i rritur talentet në vendin tonë. Kam paarsysh shembujt e Milot Rashicës, Amir Rrahamnit, apo Vedat Muriqit, që janë rritur në Kosovë.
Ne e patëm një mundësi të artë, shkuam në Europian me Kombëtaren shqiptare, ku gjysma e lojtarëve ishim nga Kosova. Ishte krenari e madhe për ne. Le të marrim rastin e Zvicrës, ne kemi luajtur shpesh me këtë skuadër. Shqiptarët përfaqësojnë 3 ose 4% të popullsisë në këtë vend, ndërkohë që 50% e kombëtares zvicerane të futbollit ishin tanët, ishin shqiptarë. Kjo do të thotë diçka, do të thotë që talenti nuk na mungon aspak.
Ne e kemi brumin dhe dëshirën e madhe për të arritur diçka. Dhe kur ke uri për të fituar, kur sakrifikon dhe kur e ke rrugën e hapur, atëherë nuk ke limite për të arritur qëllimin që ke. Sot situata ka ndryshuar dhe unë besoj se me një program dhe me një sistem të saktë, mund të arrijmë në nivele të larta. E rëndësishme është që Kosova të rritë vetë lojtarë. Kur erdhi koha që Kosova të kishte ekipin e saj, strukturat e saj, qëllimi ishte që fëmijëve kosovarë t’u hapej rruga”, - ka theksuar Cana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.