Futboll

Çalhanoglu lë Milanin për Interin, Donaruma kryen vizitat mjekësore te PSG

As Çalhanoglu nuk ka rinovuar me Milanin. Turku largohet me parametra zero nga kuqezinjtë dhe kalon tek Interi rival, me të cilin kanë mbetur për t’u vendosur vetëm detajet e fundit. Konfirmimin e ka dhënë vetë mesfushori për “Trt Sport”: "Kam arritur një akord me Interin, nesër do të shkoj në Milano për të firmosur kontratën".

Për të martën janë parashikuar vizitat mjekësore dhe më pas zyrtarizimi i Çalhanglu tek Interi. Turku do të përfitojë 5 milionë euro neto në sezon, plus 1 bonus, për tri vitet e ardhshme. Ashtu si dhe për Donarumën, Milani nuk ka marrë pjesë në ankand. Për Maldinin dhe Masarën, 4 milionë eurot e ofruara në vit, në raport me 2.5 milionë që lojtari fitonte deri tani, ishin të mjaftueshme. Milani ka gati zëvendësuesin ndërkohë, Matia Zakanjin.

Blerjen e Çalhanglu e ka “bekuar” edhe trajneri Simone Inzagi, i cili, duke ditur profilin e lojtarit, mund ta përdorë siç bënte me Luis Alberton te Lacio. Një goditje e mirë me parametra zero në merkato e Interit, që pret të kuptojë se çfarë do të ndodhë me danezin Eriksen.

Donaruma, portieri italian i PSG-së. Gazeta Si, 21 qershor 2021

Milani ka humbur edhe portierin Donaruma, i cili nuk preferoi të rinovonte, por zgjodhi PSG-në. Sot portieri i Italisë ka përfituar nga dita e pushimit që trajneri Mançini i ka dhënë skuadrës dhe ka kryer vizitat mjekësore me ekipin francez, para se të firmosë kontratën 5-vjeçare. Gjatë ndeshjes me Uellsin, në momentin e ndërrimit me Sirigun, Donaruma u vërshëllye, me siguri nga ndonjë tifoz i Milanit, që nuk e ka pëlqyer largimin e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë