Dhimbje koke për trajnerin e Milanit, Stefano Pioli. Dy nga lojtarët më në formë të skuadrës, Teo Hernandez dhe Hakan Çalhanoglu, kanë rezultuar pozitivë me Covid-19. Të dy këta lojtarë nuk u stërvitën ditën e premte, por klubi nuk kishte bërë asnjë njoftim në lidhje me pozitivitetin e mundshëm të tyre.
Konfirmimi ka ardhur sot në mëngjes nga klubi kuqezi. "AC Milan bën me dije se Hakan Çalhanoglu dhe Teo Hernandez kanë rezultuar pozitivë pas tamponit të kryer dje nga e gjithë skuadra. Janë informuar autoritetet shëndetësore dhe dy futbollistët, që janë asimptomatikë, janë karantinuar menjëherë në banesat e tyre. Të gjithë futbollistët e tjerë dhe stafi vazhdojnë të jenë të monitoruar, sipas udhëzimeve të protokollit", - shkruhet në njoftimin zyrtar të Milanit.
Një goditje e madhe kjo për Milanin para transfertës me Kaljarin, që luhet ditën e hënë. Jo vetëm që për trajnerin Pioli shtohen mungesat, por bëhet fjalë për dy nga titullarët që kanë udhëhequr skuadrën këtë sezon. Disa ditë më parë te Milani rezultuan pozitivë Kruniç dhe Rebiç. Për ndeshjen e radhës mungojnë edhe Leao dhe Benaser, ndërkohë që është kthyer Ibrahimoviç. Milani kryeson Serinë A me 40 pikë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.