Lajme

Cakaj: Shqipëria, angazhim maksimal kundër terrorizmit dhe ekstremizmit

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashmte ka premtuar se Shqipëria do të forcojë luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe përhapjes së tij në rrjetet sociale.

Gjatë qëndrimit të tij në SHBA, Gent Cakaj, mori pjesë në mbledhjen e nivelit të lartë të organizuar nga Jordania, Franca dhe Zelanda e Re, në lidhje me shmangien e përdorimit të platformave të internetit për përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit.

Në një status në Facebook, lidhur me pjesëmarrjen e tij në këtë mbledhje, Cakaj thotë se pavarësisht fitores ushtarake dhe territoriale mbi ISIS, sfida kundër terrorizmit nuk ka mbaruar ende.

“Shqipëria ka qenë historikisht një vend shembull i harmonisë ndër-fetare dhe ka prirë në shumë angazhime luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm nëpërmes mekanizmave të saj të sigurisë. Për më shumë, Shqipëria dallohet në rajon e më gjerë edhe për zhvillimin e kurikulave të veçanta shkollore që kanë për qëllim zhbërjen e interpretimeve të shtrembëruara të doktrinave të ndryshme fetare. Së këndejmi, angazhimi i Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm është në përputhje me sfidat bashkëkohore dhe në bashkërendim të plotë me partnerët ndërkombëtarë.”- përfundoi Cakaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë