Politike

Cakaj: Reeker më tha “asnjë kompromis për reformën në drejtësi”

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane, Philip Reeker është takuar me ministrin Gent Cakaj, ku sipas këtij të fundit, është shprehur se për SHBA-në, reforma në drejtësi nuk mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi, pasi ajo përbën një model për rajonin.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Cakaj bën të ditur se SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor.

"Kënaqësi e veçantë takimi me Ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit në detyrë për Çështjet Evropiane dhe të Azisë, z. Philip Reeker! Në këtë takim edhe një herë u nënvizua marrëdhënia e shkëlqyer dhe partneriteti i patjetërsueshëm strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Në takim u nënvizua rëndësia e konsolidimit të mëtejmë të bashkëpunimit rajonal dhe nevoja absolute e mbylljes së çështjeve dypalëshe në të gjithë hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Angazhimi i ShBA-ve do të jetë maksimal në shërbim të realizimit të këtij objektivi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej. Bazuar mbi modelin e pakrahasueshëm të reformës në drejtësi dhe rëndësinë gjeostrategjike të thellimit të lidhjeve midis Shqipërisë dhe BE-së, SHBA-të mbështesin në mënyrë absolute hapjen e negociatave për anëtarësim në tetor”, shkruan Ministri në Detyrë.

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Europiane dhe të Azisë Philip Reeker me ministrin Gent Cakaj,

Po ashtu sipas tij, SHBA-të vlerësojnë pozitivisht rritjen progresive të buxhetit të mbrojtjes së Shqipërisë për ta jetësuar planin për realizimin e 2% të buxhetit në shërbim të mbrojtjes deri në 2024.

“Shqipëria është e përkushtuar ta thellojë bashkëpunimin e kultivojë partneritetin me ShBA-të në të gjitha fushat përkatëse! Orientimi euroatlantik është themeli I politikës së jashtme të Shqipërisë në përgjithësi! SHBA-të janë referenca e pazëvendësueshme dhe e patjetërsueshme e politikës së jashtme të Shqipërisë" shkruan Cakaj”,


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë