Politike

Cakaj nis spastrimin e njerëzve të Bushatit në diplomaci

Ministri i Jashtëm në Detyrë, Gent Cakaj paralajmëroi nisjen e një “fshese” brenda shërbimit diplomatik duke theksuar se do të largojë mbi 20 punonjës. Përfaqësuesi i Ramës si kryediplomat preferoi vetë ta jepte një lajm të tillë, duke dhënë edhe arsyet se pse po ndërmerr një veprim të tillë për largime të punonjësve të shërbimit diplomatik. Shkaku kryesor sipas tij janë se disa emërime janë kryer për shkak të njohjeve familjare apo lidhjeve të tjera.

“Në këto 77 ditët e punës sime në krye të këtij institucioni kam mbledhur një grup të posaçëm pune për shqyrtuar cilësinë e burimeve njerëzore të shërbimit diplomatik të shtetit shqiptar. Pas kësaj ndërmarrjeje të kujdesshme unë sot jam këtu se kam vendosur që të shkëpus marrëdhënien me një pjesë të punonjësve që nuk përmbushin as kushtet ligjore, as kushtet minimale profesionale për kryerjen e kësaj detyre, e lërë më pastaj për të mbështetur ambicien e kësaj qeverie dhe vizionin e kryeministrit Rama për ta çuar në lartësinë e merituar përfaqësimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Po ashtu një pjesë tjetër e punonjësve do të transferohen menjëherë për të punuar dhe vepruar sipas nevoja reale të punës dhe jo sipas inercionit të së shkuarës. Fillimisht ju informoj se numri i të prekurve nga kjo iniciativë reformatore do të shkojë përmbi 20”, deklaroi Cakaj në konferencën për shtyp.
Mbi bazën e këtij qëndrimi, ai la të nënkuptojë se ndërhyrjet për largime do të prekin edhe punonjësit brenda MEPJ-së, por edhe në ambasada dhe konsullata. Cakaj ka qenë i ashpër duke goditur shefin e tij të mëparshëm, Ditmir Bushatin, për të cilin edhe pse nuk e përmendi direkt, u shpreh se më parë ka pasur emërime nepotike dhe me lidhje familjare.
“Sfida evropiane e Shqipërisë dhe axhenda jonë reformuese e kapërcimit të pellgut të ndenjur të së shkuarës, nuk përkon kurrsesi me nepotizmin, klientlizmin politik dhe korrupsionin moral në asnjë sektor dhe lërë më pastaj në përfaqësitë e Shqipërisë nëpër botë. Shqipëria nuk është e miqve, kushërinjve politikë apo dhe klaneve e krushqive të kujtdo qoftë, por është e të gjithëve dhe meriton të përfaqësohet nga më të dalluarit që punojnë me mendje dhe veprojnë me shpirt dhe shërbejnë me pasion, me kapacitetin e plotë profesional dhe moral. Kjo përpjekje nuk fillon nga hiçi, e kjo është në vazhdën logjike të ndërmarrjes sonë që ka filluar tashmë dhe nuk mund të lihet në gjysmë asesi”, theksoi Cakaj më tej.
Gjithashtu ai bëri të qartë se me krijimin e vakancave do t’i ftojë edhe studentët e ekselencës për të aplikuar për punësim pranë Ministrisë së Jashtme.
Edhe pse nuk ka një listë konkrete për emrat e të larguarve, Cakaj mësohet se ka nisur me kohë spastrimin e njerëzve brenda në ministri. Sipas burimeve, mësohet se janë larguar një pjesë e stafit të ish-ministrit Bushati, edhe pse një pjesë janë larguar vetë, duke dhënë dorëheqjen. Kështu “hakmarrja” e Cakajt ndaj ish-shefit të tij, Bushatit, do të shtrihet edhe në nivel përfaqësimi të ambasadorëve apo në nivelet e tjera. Ndërsa ky spastrim ndodh disi çuditshëm, pasi PS-ja ka 5 vite që drejton qeverinë dhe se të gjitha emërimet janë kryer me bekimin e kryeministrit Edi Rama, të paktën në nivel ambasadorësh apo konsujsh. Reagimi i Cakajt vjen një ditë pasi lajmëroi se Ministria do të kërkojë ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të konsullit të Nderit në Nigeri të Shqipërisë, Nitin Sandesara, shtetasi indian i shpallur në kërkim për pastrim parash, i cili kishte ngritur edhe biznes në vendin tonë.

Ditë më parë mori, Cakaj mori edhe vendimin për pezullimin e konsullit shqiptar në Janinë, Pervin Gjikuria pas skandalit me vjedhjen e disa pasaportave shqiptare.

Por më vonë doli lajmi në media se Ministria ka shkarkuar konsullin shqiptar në Romë, Edmond Kumaraku. Ai njihet si një mbështetës i PS-së, emigrant prej vitesh në Itali. Madje ai mori pjesë në samitin fundit të Dipasporës, apo dhe në Kongresin e PS-së më 23 mars, ku u diskutua për votën e emigrantëve.

Edmond Kumaraku (djathtas) në samitin e Diasporës të organizuar në Tiranë


Pas konferencës për shtyp, Gent Cakaj reagoi dhe ndaj lajmeve të përhapura mbi largimin e mbi 20 punonjësve, ku u cilësua si një pastrim brenda shërbimit diplomatik.
“Reforma në administratën e @AlbanianDiplo nuk është « fshesë » por një investim në ato burime njerëzore që meritojnë ta vënë ekselencën e formimit dhe dijes së tyre në shërbim të një përfaqësimi diplomatik patriotik dhe evropian”, shkruan Cakaj në rrjetin social Twitter.

https://twitter.com/CakajGent/status/1110532702321737728


Me emërimin e ministrave të rinj që nga janari, disa prej tyre kanë nisur largimin e njerëzve të besuar të ish-ministrave në krye të dikastereve kryesore. Kështu edhe pse u shfaqën si miq me Damian Gjinkurin, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku ndërmori shkarkime masive të krerëve të institucioneve kryesore në varësi të saj, duke larguar kreun e ARRSH-së, të OST-së, të KESH, drejtorin e Portit të Durrësit, si dhe bëri ndryshime në drejtoritë kryesore të ministrisë së Energjetikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë