Politike

Cakaj: Diplomatë kosovarë në ambasadat e Shqipërisë për njohjen e Pavarësisë

Në intervistën e parë të gjatë televizive, ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë diplomatike për njohjen nga sa më shumë vende të Pavarësisë së Kosovës.

Sipas, Cakaj ky vendim ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj fushatës diplomatike të Beogradit kundër pavarësisë së Kosovës.

“Për ne është e papranueshme fushata e Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Pavarësisë së Kosovës dhe Shqipëria do të ngrejë një Task-Forcë të veçantë për të adresuar këtë problem”, tha Cakaj.

Gazeta Si mëson se këta diplomatë janë përzgjedhur tanimë nga kabineti i Ministrit në Detyrë dhe se janë pajisuar me pasaportat e Republikës së Shqipërisë. Ky vendim i Cakajt i jep mundësinë Kosovës të ketë një përfaqësim diplomatik edhe në vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj, përfshirë edhe shtetet anëtarë të BE-së si Spanja, Greqia, Qipro, Rumania e Sllovakia. Po ashtu mësohet se Cakaj planifikon të dërgojë edhe diplomatë shqiptarë në Ambasadat e Kosovës, në vendet ku Shqipëria nuk ka konsullatë ose ambasadë.

I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu nëse në ambasadat shqiptare do të vendosen ambasadorë shqiptarë të Kosovës, Cakaj nuk e mohoi një fakt të tillë.

Ai sqaroi se do të ketë 4 pika si do të veprohet për të forcuar rolin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Ministria e Jashtme do të ngrejë Task-Forcën për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës me diplomatët më të kualifikuar nga Kosova dhe Shqipëria. Do të procedohet shumë shpejt me marrëveshje ndërministrore me 4 komponente. E para, ambasada për përdorim të përbashkët. Elementi i dytë do të jetë konsullor. Planifikojmë hapjen e menjëhershme të tre konsullatave të reja. Elementi i tretë do të jetë profesional që përfshin mundësinë e këmbimit të stafit profesional. Dhe i katërti do të jetë elementi kulturor”, u Cakaj.

Gent Cakaj

Lidhur me debatin e shumëpërfolur të ditëve të fundit, pasi autoritetet holandeze kërkuan rivendosjen e regjimit të vizave për Shqipërinë, Ministri në Detyrë renditi 5 kriteret teknike për heqjen e vizave për një shtet dhe Shqipëria nuk i përmbush këto kritere.

"Zgjedhjet e fundit në rajon dhe Holandë kanë prodhuar një rritje të populizmit, nacionalizim përjashtues dhe politikave konservave në përgjithësi dhe kjo manifestohet”, u shpreh ai. “Është një moment elektoral i dyfishtë. Ka një rritje të populizimi dhe politikave përjashtuese, antiemigracion në Holandë. Ne jemi dhe në një moment elektoral që karakterizon dhe Europën dhe kjo vendimmarrje lidhet më një fushatë elektorale", tha ai.

Ministri Cakaj u shpreh se fillimisht e ka nisur karrierën e tij duke bërë analiza dhe shkrime politike në gazeta. Ai theksoi se edhe pse ishte 28 vjeç kishte 14 vjet në politikë.

“Unë jam 28 vjeç me 14 vjet përvojë politike. Angazhimet e para politike i kam pasur në shkollën e mesme. Fillimisht me publikimin e shkrimeve politike nëpër gazeta ditore në Kosovë. Në moshën 15-vjeçare kam filluar aktivizimin politik si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosja në Prishtinë dhe kam vendosur të jem pjesë e saj deri në moshën 18-vjeçare. Unë jam rritur në periudhën e tranzicionit. Me origjinë jam nga Gjakova dhe jam rritur në Prishtinë”, theksoi Cakaj.

Ministri i Jashtëm në detyrë ka treguar edhe si ka përjetuar luftën në Kosovë, kur familja e tij u nda. “Familja u nda gjatë luftës dhe unë përfundova në Strugë. Babai im mbeti në Prishtinë dhe pjesa tjetër e familjes ka jetuar në Strugë. Më kujtohet në atë kohë shija e hidhur e jetës. Jeta në rutinë, paniku bëhet i zakonshëm. Lojërat ndërpreheshin kur binte telefoni", tregoi ai.

Cakaj tregoi edhe si është njohur me Kryeministrin Edi Rama, duke theksuar se kalon më shumë kohë me këtë të fundit sesa me familjarët e tij. Cakaj deklaroi se ai është kontaktuar nga stafi i Ramës dhe se fillimisht nuk e ka takuar personalisht kryeministrin.

“Pas performancës në universitet u kontaktova nga kabineti i tij dhe pastaj nëpërmjet takimeve. E them edhe njëherë kryeministrin Rama e kam njohur përmes shefes së zyrës së Kabinetit të tij. Fillimisht nuk e kam takuar personalisht”, tha ai.

Kurioziteti i publikut për Ministrin në Detyrë është shtuar edhe më shumë pas spekulimeve se Cakaj po bashkëjeton me vajzën e bashkëshortes së kryeministrit Rama, Rean. Ai foli për këto raporte, duke i konsideruar si një gënjeshtër absolute. Cakaj është shprehur se kjo çështje do të kalojë në gjykatë.

"Kjo është absolutisht e pavërtetë, dashakeqe dhe autorët e kësaj akuze do ballafaqohem në gjykatë. Është një akuzë që vjen nga armiqtë e kryeministrit Rama. Është një gënjeshtër absolute, vjen për të njollosur… Është produkt i një fantazie të shfrenuar”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë