Politike

Bylykbashi: Pse vota e emigrantëve është domosdoshmëri!

Duke thumbuar që në fillim të propozimit të tij se vëmendja duhet fokusuar tek reforma zgjedhore dhe jo ajo e radhës, Oerd Bylykbashi, që ka ndjekur prej më shumë se dy dekada reformën, shkruan për domosdoshmërinë e regjistrimit të votës së emigrantëve.

“Shqipëria ka 4,7 milionë shtetas të regjistruar. Po po, aq! Dhe 3,6 milionë prej tyre janë zgjedhës.

Zyrtarisht në Shqipëri jetojnë diçka më shumë se 2,8 milionë banorë. Por, pas hemorragjisë së frikshme demografike të shqiptarëve nga humbja e çdo shprese gjatë tetë viteve të qeverisë Rama, nuk besoj se në vend ka me shumë se 2,5-2,6 milionë banorë.

Prej tyre jo më shumë se 2 milionë janë zgjedhës.

Shumë pak. Aq pak zgjedhës jetojnë në Shqipëri, saqë ata janë lehtësisht të kontrollueshëm nga sistemi i patronazhistëve të qeverisë, inspektoratet shtetërorë gjobëvënëse, dhjetëra mijëra nëpunësit militantë të administratës që u jepet urdhri të mbledhin vota për të mbrojtur vendin e punës, apo edhe nga rrjetet kriminale...”, rendit Bylykbashi.

Sipas tij, 1,7 milionë zgjedhës është maksimumi i atyre që dalin e votojnë këtu. Dhe kjo, në analizën e Bylykbashit, është një problem i madh të cilin reformat e zgjedhore të radhës në letër nuk munden ta zgjidhin. Atëherë cila është zgjidhja?

“...Qeveria ka mbi 5 vjet që ka bllokuar regjistrimin e emigrantëve në regjistrin e posaçëm.

Bejnë tau tau sikur duan votën e tyre por sa për propagandë, sepse deri në zgjedhjet e 25 prillit vetëm pak mijëra emigrantë kishte regjistruar qeveria, aq sa i duheshin për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve në qarqet delikate, ndërkohë që shoqatat e diasporës ankoheshin për vonesa.

Ky bllokim nga qeveria e bëri nul konsensusin e qershorit 2020 për votën e emigrantëve.

Emigrantëve u takon vota si e drejtë themelore kushtetuese. Ata janë baseni më i madh i votave të lira. Të lira jo si çmim por të lira prej çdo presioni.

Janë rreth 1,6 milionë zgjedhës në diasporë që u mohohet e drejta të ndëshkojnë qeverinë me votë, siç ndodh në shtetet ku jetojnë. Vota e tyre nuk kontrollohet dot me presione drejtorësh, tatimorësh, patronazhistësh apo banditësh.

Atyre nuk ua blen votën me para, vende pune, tapi, legalizime, ulje faturash energjie apo lekë për dëmshpërblim tërmeti. Ata jetojnë në normalitet dhe këtë e kërkojnë edhe për familjarët e tyre në atdhe.

Nuk ka nevojë për ligje e reforma pa fund që vota e tyre të bëhet realitet”, shkruan ai. Pwr kwtw arsye, Bylykbashi propozon që qeveria të nisë urgjent regjistrimin e emigrantëve pa asnjë pengesë në e-Albania

“KQZ duhet të mundësojë infrastrukturën e plotë dhe transparente.

Duhet të fillojmë që tani që pastaj të mos themi se nuk ka më kohë!

Rama i ka frikë këto vota.

Ato vota i ka frikë çdo politikan që nuk respekton të drejtën e votës e që mendon se mund ta kontrollojë apo ndalojë atë.

Ndaj e drejta e votës së emigrantëve shqiptarë është  imperativ për zgjedhje të lira e të ndershme ku qeveria jep llogari që nga rritja e çmimeve, kanabizimi i vendit, kriminaliteti i organizuar, grabitja me PPP dhe shpopullimi i Shqipërisë nëpërmjet vrasjes së shpresës”, nënvizon ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë