Politike

Bylykbashi, Dakos: Supermen, kur të sjellin cigare në burg do e kuptosh

Deputeti  PD-së, Oerd Bylykbashi ka reaguar pas akuzave të lëshuara nga ana e kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako, i cili ka deklaruar se do ta padisë në gjyq pas akuzave të lëshuara në adresë të tij.

“Lexova që dje paska reaguar supermeni! Konfirmim i banalitetit të së keqes që ai përfaqëson. Po reagon me vulgaritet ndaj kujtdo që e akuzon për çfarë është katandisur. Një reagim halli, fiks si ai i brejtësve para tërmetit! E të mendosh që me këtë banalitet, pretendon të përfaqësoje model politikani për durrsakët, sepse sipas tij ka mbaruar koha kur votat i mblidhnin politikanet seriozë. Sigurisht, ai sot votat i mbledh me "duart e pastra akullore" të kriminelëve.‎ E të mos harroje se njësoj si ai, shume vota mblidhte edhe Elvisi i Kavajës, që ishte dënuar për përdhunim në grup, apo ata farë deputetësh të Ramës që kishin dënime eper trafiqe. Eh ku është katandisur! Jam i sigurt qe me sistemin e tij kriminal duke ia dhëne mbledhjen e votave me koncension bandave kriminale, mbledh shumë vota. Por ky nuk kupton diçka, që është ky fiksimi i tij për të dalë si Njeriu Merimangë ‎që kacavirret “derë më derë” për të blerë vota e për t’u mburrur me rezultatin sa më të thelle, që po e çon me hap të sigurt drejt burgut. Aty në burg mund të përpiqet ta nxjerrë PS edhe fituese me 100%”, shkruan Bylykbashi në Facebook.

Më tej demokrati thekson se Dako e ka rrugën e lirë për të hyrë në burg, pasi dosja me numër 339 që opozita pretendon se ka përgjime me kryebashkiakun e Durrësit nuk e shpëtojnë dot nga drejtësia dhe as kryeministri Rama.

“Po ku e lenë të kuptojë realitetin ku janë zhytur ata "profesorët" e injorancës që i rrinë rrotull e i thonë sa i zgjuar e i zoti është, paçka se nuk ka durrsak e që nuk po i plas buza me këtë katrahure që ka katandisur qytetin. Në fakt nuk bëhesh dot urbanist kur ngel në shkollë. Nuk ka nevojë askush të sforcohet e ta çojë ne burg, sepse po shkon vetë. Dosjen Nr. 339 e ka plot. E ka rrugën e lirë, nuk e ndihmon dot njeri për ta mbajtur jashtë, madje dhe shulin e qelisë do e mbyllë vetë mesa duket. ‎Dhe me pas do t'ia hedhin çelësat jashtë. Pikërisht aty në fakt, kur të sjellin cigaret do kuptosh sa të duan durrsakët. Fluturo sa të duash me pelerinë, apo kacavirru ku të duash. Nuk ka rëndësi sa shumë vota mbledh me kriminelë apo lekë korrupsioni. Burgu për krime zgjedhore dhe korrupsion nuk pyet për vota e rezultate të thella‎. Vetëm nëse deri atëherë nuk ke ikur në ndonjë vend që nuk ka marrëveshje ekstradimi. Imagjino, nuk është ngritur ende SPAK. Atëherë do jetë edhe më e hidhur se nuk të ndihmon dot Prokurorja e Përkohshme dhe Kryeministri‎!”, shkruan Bylykbashi.

Ai i është përgjigjur edhe akuzave të Dakos, se e ëma e deputetit është socialiste dhe se i jap votën PD-së për shkak të birit.

“ P.S.: Dhe meqë kur vije deri në Durrës për të shkuar ne gjimnaz të duhej të merrje autobus se e kishe disi larg qytetin për të ardhur në këmbë, dhe që me sajesa banale nuk shkon dot larg, lexo pak ‎nga historiku i PD i 1991 në Durrës. Nuk të bën dëm të lexosh!”, shkruan Bylykbashi, i cili poston një foto e një libri ku e ëma e deputetit citohet si themeluese e PD-së së qytetit bregedtar.

Opozita ccdo ditë po del në konferenca për shtyp duke kërkuar arrestimin kryebashkiakut Dako, pasi del nga përgjimet e prokurorisë duke folur për blerje votash me pjesëtarë të grupit të Shijakut “Avdyli”.

Për çdo denoncim të lëshuar nga ana ezyrtarëve të PD-së, Dako reagon duke deklaruar se do t’i padisë për shpifje tëgjithë në gjyq.

Dhe në rastin e Bylykbashit, ai reagoi duke i kujtuar se nuk fiton vota në qytetin e Durrësit dhe se nuk e njeh askush.

“Oerd Bylykbashi bën kompetentin në Tiranë ku s'e njeh askush. Në Durrës është personazhi më i pavotuar i PD-së! Oerdi e di shumë mirë që koha kur PD-ja i merrte votat në Durrës me figura serioze qytetare dhe me burgaxhinj me leje 10 ditore në fshat, ka vdekur. Figurat qytetare të PD ka kohë që votojnë Vangjush Dakon dhe Oerdi e di mirë! Sepse nuk kanë si i shkojnë mbrapa Oerdit që s'merr as votat e shtëpisë së vet dhe e mbante Sokol Olldashi i shkretë si sekretar nga mbrapa. Ndërsa koha e burgaxhinjve, koha e Lentit tënd që nxirreshin për të rrahur njerëzit e PS në Ishëm e nëpër fshatra, ka vdekur, vdiq bashkë me Saliun. Sot votat merren me punë e me fushata ku PS-së s'i del dot para jo Oerdi po askush. Sa takime bëj unë në 24 orë, Oerdi që fle gjumë në drekë s'ka për t'i bërë dot as në 24 vjet politikë! Më vjen keq se e kam banor timin, po s'kam çfarë i bëj, do e fus në listën e gjyqeve me vemjet e tjera të Lul Peshkut dhe po ja përsëris: Harroje Durrësin si politikan Oerd! Shijo si qytetar ndryshimet që kam bërë dhe do të bëj unë bashkë me qeverinë time, po si politikan je i mbaruar. Shyqyr që të fut Lul Peshku të parin në akuariumin e PD-së së Durrësit dhe të çon në parlament brenda në akuarium, se ty edhe moma jote ta jep votën për konflikt interesi se për bindje është edhe më e majtë se unë!”, reagoi Dako disa ditë më parë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë