Politike

Bylykbashi: Arsimi ka dështuar, pas 10 vitesh, 250 mijë nxënës dhe studentë më pak, 600 shkolla u mbyllën

PD e Rithemelimit u fokusua të hënën tek situata e arsimit në vend, duke denoncuar përmes një  paneli ekspertësh se mungesa e mbështetjes financiare dhe cilësia e dobët e arsimit ka kontribuuar tek shpopullimi.    

“Ajo që është arsimi sot, është Shqipëria në tre dekadat e ardhshme. Dhe gjendja skandaloze e arsimit sot tregon se kush është e ardhmja e shqiptarëve në dekadat që do vijnë. Arsimi sot në Shqipëri është braktisur financiarisht.

Nëse në qeverisjen e PD, buxheti ishte 3.4 përqind, sot është- përveç premtimit të gënjeshtërt të qeverisë së Edi Ramës që do ta çonte në 5 përqind- është vetëm 2.3 përqind. Pra as gjysma e asaj që ishte premtuar dhe mjaft më e ulët se në qeverisjen e PD. Sigurisht kjo është shoqëruar me braktisje në aspektin infrastrukturor, janë më shumë se 600 shkolla të mbyllura në Shqipëri.

Kjo bashkë me dështimin e një reforme territoriale administrative që ka ndikuar në uljen e interesit të qeverisë vendore dhe qendrore për të investuar në shkolla.

Shkollat po mbyllen, komunitetet po braktisen”, tha gjatë takimit Oerd Bylykbashi.

“Në këtë 10-vjecar, janë 110 mijë nxënës të detyrueshëm 9-vjeçar më pak. Janë 60 mijë nxënës të arsimit të mesëm më pak. Janë më shumë se 60 mijë studentë më pak, sigurisht pa llogaritur edhe ata të sistemit parashkollor. Pra është një shifër që shkon prej rreth 250 mijë nxënësish dhe studentësh në të gjithë nivelet më pak në këtë 10-vjeçar. Kjo ka një konkluzion fare të qartë, politikat shkatërrimtare, grabitqare, korruptive të qeverisë Rama, siç kanë shkatërruar çdo aspekt tjetër, po shkatërrojnë arsimin”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë