Politike

Buxheti, Tabaku: Ulni TVSH për produktet e shportës, përfitojnë 659 mijë individë

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha në Kuvend se buxheti i vitit 2022 është më i gënjeshtërti i miratuar në këto 9 vite. Ajo kërkoi sërish që të miratohet propozimi i PD-së për uljen e TVSH-së  për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6%, si një mjet për të nxitur konsumin.

 “...Unë pas 9 vitesh në Parlament e kam të vështirë ta ndaj të vërtetën nga gënjeshtrat, ndaj situatës ireale në të cilën jeton qeveria dhe tryezat dixhitale, me sportelet dixhitale dhe atë protestën që po ndodh sot jashtë. 

Por besoj se çdo qytetar e ndjen në xhepin e vet, e ka parë në xhepin e vet.  

Unë sot këtu jam për të prezantuar, në emër të Partisë Demokratike, një amendament për TVSH-në. 

120 amendamente ka prezantuar Partia Demokratike në 9 vite.  

Në fakt, kisha hequr dorë të prezantoja amendamente sepse këtu ku ka arritur situata me paketën fiskale, me mungesën e vizionit, me rritjen e taksave, me dëmtimin e shtresës së mesme, me dëmtimin përmes taksave të shtresës së mesme, unë nuk besoj se situata mund të korrigjohet.  

Por, duke patur parasysh situatën e vështirë ekonomike, rritjen e paprecedentë të çmimeve, sidomos të shportës ushqimore, grupi parlamentar i Partisë Demokratike, gjykoj, që duhet patjetër të prezantojmë një amendament për uljen e TVSH-së për produktet e shportës ushqimore nga 20% në 6%, si një mjet për të nxitur konsumin. 

Një pjesë e produkteve ushqimore në tregjet me pakicë kanë pasur një rritje prej pothuajse 30% të çmimeve. Grupi parlamentar i PD ka kërkuar, dy muaj më parë interpelancë për rritjen e çmimit të miellit dhe të bukës. Ka dy muaj që drejtoresha e Autoritetit të Konkurrencës është me Covid dhe nuk vjen të raportojë në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.  

Ndërkohë, që ka një situatë, një tendencë për rritje çmimesh edhe në produkte të tjera, jo të shportës”, tha Tabaku.  

Sipas saj, ulja e TVSH do të kishte një përfitim të drejtpërdrejtë tek të paktën 659 mijë individë.  

”...Unë besoj që sot ky buxhet, më i gënjeshtërti i miratuar në këto 9 vite, ka probleme reale. Problemet nuk vijnë nga prezantimi për uljen e TVSH-së që PD ka bërë një muaj më parë.

 Sot problemet vijnë nga fakti që 275 milionë euro për rindërtimin që do të përfundonte majin e vitit të kaluar dhe u shty për shtator, tani dëgjova u shty për shtatorin e vitit tjetër, janë tenderuar pa i pasur fondet.

 Sot kemi 900 milionë euro borxhe të fshehura, 400 janë për faturat e arbitrazhit të cilat shtohen çdo ditë. Çdo ditë ka një faturë të re arbitrazhi si rezultat i vendimeve abuzive, i korrupsionit të qeverisë.

 Këto janë problemet që ka buxheti.

 Buxheti sot po formalizohet për herë të parë dhe borxhi po shkon mbi 100% te PBB bashkë me borxhin e fshehur dhe PPP-të...”, tha ndër të tjera Tabaku


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë