Politike

Buxheti 2019, Basha: Pasuron oligarkët. Balla: Rrit ekonominë

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi edhe njëherë qeverinë Rama se ka falimentuar biznesin. Në një konferencë për mediat, Basha tha se nga 2014, mbi 70 mijë biznese kanë mbyllur qepenët më Ramën në pushtet, ndërsa theksoi se buxheti i shtetit për 2019 është një aktakuzë që organizata kriminale e Rilindjes ka ngritur për veten e saj.

“Është buxheti më katastrofë në 28 vjet, ngarkon me borxh edhe foshnjet e sapolindura. Sot ka një borxh të deklaruar së bashku me llogaritje e KLSH prej afro 74% dhe ka një borxh tjetër që e mban të fshehur, borxhi i PPP që ka shkuar mbi 2.2 miliard euro. Shqiptarëve borxhi u shkon 82-84%. Ndërkohë që ka parashikuar vetëm 40 milion euro për të pangrënët, - u shpreh Basha. Organizata kriminale e rilindjes ka kaluar buxhetin që legjitimon zhvatjen e taksave dhe pasuron një grup oligarkësh. Dy janë karakteristikat e këtij buxheti që u legjitimuan sot. Karakteristika e parë është se në qeverisjen e Ramës 97% e qytetarët paguajnë më shumë taksa. Është fakt se nga xhepat tuaj 1.9 miliardë euro më shumë me taksa më të rritura dhe me tatime më të larta dhe rritjes se çmimeve".

Pas deklaratës së kreut të PD-së, i cili e quajti buxhetin 2019, më katastrofikun e 28 viteve të fundit, ka reaguar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Sipas tij, buxheti nuk përllogaritet me metodën e Bashës. Balla shkruan se buxheti rrit pagat në sektorin publik duke mbështetur edhe shumë familje shqiptare.

Kreu i grupit të PS-së, shton mes tjerash se kreu i demokratëve ka hallin e pallatit të vjehrrit të tij, i cili nuk do të dëmshpërblehet.

“Lulzim nuk bëhet buxheti 7×7=42!.Buxheti mbështet qindra mijëra familje qe jetojnë me bujqësi, rrit pagat në sektorin publik, konsolidon rritjen e ekonomike, garanton investime në infrastrukture në çdo cep të Shqipërisë. Halli i Lulit: pallati i vjehrrit nuk dëmshpërblehet”, shkruan Balla


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë