Politike

Bushati thirrje për dialog. Austria ofron ndihmë: Ballafaqim në 10 ditët e ardhshme

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati nuk e fsheh zhgënjimin mbi vendimin e Këshillit Europian, që e shtyu për në tetor vendimmarrjen për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Megjithatë, në një intervistë dhënë për Euroneës ai thotë se vendi nuk duhet të shpërqëndrohet nga rruga e reformave.

Sa i takon krizës politike aktuale, Bushati kërkoi reflektim dhe bëri thirrje për dialog.

Një nga kryenegociatorët kyc për kërkesën e Shqipërisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian ka akuzuar shtetet anëtare për mosmbajtjen e premtimeve mbi kalendarin e pranimit.

“Unë dua të besoj se ne në Shqipëri do vijojmë me reformat, nuk do humbasim durimin dhe sidomos do të fokusohemi te reformat në lidhje me sundimin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar, vijimin e reformës në drejtësi. Si dhe cfarë është më e rëndësishme sot për sot, ne kemi nevojë të kapërcejmë ndasitë politike në mënyrë që të sigurojmë një mjedis të favorshëm politik për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë”, deklaroi Bushati.

Protestat i cilëson shprehje të demokracisë, por përsëriti thirrjet që dhuna të shmanget dhe për më tepër të dënohet nga politika.

“Ka rëndësi të madhe që të gjitha forcat politike të tregojnë përgjegjshmëri, sepse kur flasim për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, kjo është një çështje kombëtare dhe prioritet kombëtar. Vetëm duke siguruar një mjedis politik mirëkuptues ne do të jemi të aftë të arrijmë, me shpresë, brenda vjeshtës këtë qëllim madhor”, vijoi ai.

Ambasadori austriak ne Tirane, Johan Sattler

Thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog bëri edhe ambasadori austriak në Tiranë, Johan Sattler. Veç kësaj, ai tha se ndërkombëtarët janë të gatshëm që të ndihmojnë në këtë situatë, mjafton që t’u shtrihet dora për ndihmë.

“Kryetarët e partive politike tani duhen ulur bashkë. Ajo që ndodhi në Shkodër, Bajram Curri, e qytete të tjera është një fatkeqësi e vërtetë. Personat me mendësi demokratike nuk djegin shkolla, nuk shkatërrojnë, përkundrazi janë krejt diçka tjetër. Bie dakord me zonjën Topalli. Ju duhet të merrni një hap prapa dhe të ballafaqoheni në 10 ditët në vijim. Nëse keni nevojë për ndërkombëtar ne jemi këtu t`ju ndihmojmë”, tha ambasadori austriak gjatë fjalës së tij.

Ambasadori austriak ndodhej në Shkodër për të marrë pjesë në Akademinë e Lidershipit Rinor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë