Politike

Bushati: Morëm një afat për negociatat!

Dy ditë nga vendimi i Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian, që ka vendosur qershorin e vitit të ardhshëm si afat për negociatat me Shqipërinë, nuk kërkonte shumë mund e përpjekje për të kuptuar që pikërish kjo çështje do të përplaset mazhorancën dhe opozitën në Parlament.

Lulzim Basha hyri në sallë para se në të të paraqitej Kryeministri Edi Rama. Në rend të ditës ishte raportimi i institucioneve të pavarura për punën e kryer deri më tani. Por, rendi u anashkalua dhe Basha kërkoi që në sallë të ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama. Zyrtarisht, asnjëra palë nuk ishte përgatitur për të dalë në foltore për çështjen e negociatave.

Kryetari i Kuvendit kërkoi nga krerët e grupeve parlamentare që të dorëzonin në kryesi listën me emrat që do të flisnin. U mor 10 minuta pushim dhe seanca u ndërpre për këtë qëllim.

Seanca rinisi me fjalën e kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho. Ai renditi akuzat e hershme të opozitës ndaj Qeverisë për lidhje me krimin dhe tha se pikërisht këto lidhje penalizuan vendin tonë në Luksmburg për të mos hapur negociatat.

Spahos iu përgjigj ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Theksin e vendosi tek reforma në drejtësi dhe procesi i vettingut, një ndër pikët më të vlerësuara edhe nga Këshilli Europian.

“Raporti e thotë qartë se reforma në drejtësi në Shqipëri është një shembull orientues për vendet e rajonit dhe për vende që sot janë anëtare të BE dhe kanë një traditë të shtetndërtimit demokratik më të pasur se Shqipëria”, tha ai.

Bushati u rikthye dy vite pas në kohë për të risjellë qëndrimin e Lulzim Bashës për vettingun, kur Shqipëria nuk mori rekomandimin për hapjen e negociatave nga Komisioni.

“Në 2016 u vendos kusht vettingu dhe Lulzim Basha tha se merr përsipër përgjegjësinë si opozitë për ta çuar përpara këtë proces dhe të gjithë e pamë se çfarë bëri me vettingun. U fut në bojkot dhe flirtoi me gjysmën e shoqatave të kalbura të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, u shpreh ministri i Jashtëm.

Kthehet edhe njëherë pas në kohë, në periudhën kur në pushtet ishin demokratët me Sali Berishën në krye të Qeverisë. Kujtoi aplikimin e dorëzuar nga Berisha tek Presidenca çeke para zgjedhjeve të vitit 2009, për marrjen e statusit të vendit kandidat.

“Presidenti çek, Topolanek nuk e konsideroi fare dhe e flaku në sirtar për një vit aplikimin e Shqipërisë, sepse e dinte që ishte një aplikim elektoral. Në 2010, Komisioni dha 12 kritere për Shqipërinë. Në 2012, Komisioni solli raportin e parë, nuk propozoi as statusin kandidat, bisedimet jo e jo”, u shpreh ai.

Akuzoi opozitën për padituri në lidhje me procesin e integrimit dhe i kujtoi Lulzim Bashës lënien jashtë Kuvendit të Majlinda Bregut.

“Nuk e kuptoni këtë proces dhe s’keni si e kuptoni sepse njeriun e vetëm që kuptonte nga ky proces, Luli e fshiu nga lista”, deklaroi ai.

Pas Partisë Demokratike shigjetoi pjesën tjetër të opozitës, LSI-në. Kujtoi qëndrimin e tyre kur Komisioni vendosi pesë kushtet kryesore për të hapur negociatat.

“Ish-kolegë të mi ministra, edhe rekomandimin e kushtëzuar e kanë quajtur një ditë historike, sepse në atë kohë ishin në qeveri. LSI e ka këtë qëndrim dhe sot që është në opozitë e quan një dështim këtë”, vijoi ai.

Bushati solli si shembuj se për Shqipërinë është vendosur një afat për hapjen e negociatave rastin e Serbisë dhe Malit të Zi. Shqipëria, sipas tij, nuk ndryshon nga këto dy raste.

“Në 2012, vendos hapjen e negociatave për serbinë për në qershorin e vitit pasardhës. Mali I zi, komisioni rekomandoi në 2012 hapjen e negociatave, por negociatat nisën një vit e gjysmë më vonë”, deklaroi Bushati.

Nga LSI u përgjigj Luan Rama.

“Performim delirant. Sot do të duhej të kërkonim ndjesë që nuk ja dolëm mbanë të çelnim negociatat. Sot do të duhej të ishte një ditë reflektimi dhe kryeministri me përgjegjësitë e kryetarit të qeverisë do të duhet të vinte këtu me një ofertë politike që të programonim vepriomin tonë se cfarë duhet të bëjmë nga sot deri në qershorin e vitit 2019, ku do të duhet të rivlerësohet hapja apo jo e negociatave. Qershori nuk është një datë dhe nuk ka një datë”, u shpreh ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë