Politike

Bushati del nga rreshti: Të kërkojmë falje! Balla: Reformojmë PS-në e Shkodrës

Ditmir Bushati kërkon reformimin e plotë të Partisë Socialiste dhe marrjen e përgjegjësisë politike për përzgjedhjen e personave me rekorde kriminale në të shkuarën si kandidatë të kësaj force politike në zgjedhjet e fundit.

Ish-ministri i Jashtëm foli në përfundim të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Ai e cilësoi vendimin ku u është kërkuar të gjithë drejtorëve të Bashkisë së Shkodrës dorëheqja si një përpjekje për të devijuar vëmendjen nga problemi i vërtetë.

“Ne nuk kemi nevojë për zhvendosje vëmendjeje me shkarkime në masë të njerëzve që nuk kanë asnjë lidhje me situatën e krijuar. Kjo është çështje që shkon përtej një organizate politike. Kemi përgjegjësinë për të hapur një debat dhe për të trajtuar rrënjët e këtij fenomeni dhe jo për të menaxhuar pasojat. Rrënjët kanë lidhje me nevojën për një reformë politike brenda një familjeje politike, reformë që të sjellë një kulturë të re dhe sistem të ri llogaridhënës në parti”, deklaroi ai.

Bushati kërkoi marrjen e përgjegjësive nga PS.

“Ne na takon që të njohim realitetin dhe përgjegjësinë politike. Të themi edhe na falni për raste në fjalë dhe të propozojmë reforma që ndërtojnë sisteme imunitare për një jetë tjetër politike”, vijoi ai.

Ish-kryediplomati shqiptar dhe ish-koordinatori i socialistëve për Qarkun e Shkodrës, që u shkarkua nga Edi Rama për t’u pasuar me Valdrin Pjetrin tha se këto problematika i kishte ngritur edhe në mbledhjen e Kryesisë, por pa u ndalur më tej tek kundërpërgjigja që kishte maarrë.

Për reformim foli edhe Taulant Balla, por jo të të gjithë organizatës politike, por vetëm të degës socialiste të Shkodrës.

“Të ndërmarrim një hap të rëndësishëm rigjenerimi. Ringritja dhe rigjenerimi do të ketë një fokus të veçantë në Shkodër. Rezultatet politike tonat në disa palë zgjedhje nuk kanë qenë ato të dëshiruara. Do të kemi një vëmendje të veçantë për ta ndjekur me vëmendje procesin e riformatimit të PS në Shkodër”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla.

Balla mohoi edhe përgjegjësinë kolektive të Partisë Socialiste dhe foli për përgjegjësi të plotë personale.

“Përgjegjësi tërësisht personale, ndaj Kryeministri e ka ngritur si domosdoshmëri që këtë përgjegjësi personale të personave që nuk deklarojnë të shskuaarën e tyre ta ashpërsojmë përmes mekanizmave ligjorë”, vijoi Balla.

Me përjashtim të Taulant Ballës, Ditmir Bushati ishte i vetmi anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste që foli para mediave në përfundim të mbledhjes. Mediat u shmangën edhe nga Ulsi Manja, ashtu edhe nga kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë