Rend dhe Ligj

Burri i inatosur rreh gruan sa del nga burgu: Do të ta nxjerr shpirtin dalëngadalë

Një grua në Tiranë ka parë vdekjen me sy dhe ka shpëtuar falë përpjekjeve të saj pasi është përleshur me njërin nga anëtarët e familjes që prej ditësh e ruante derisa u gjendën vetëm për vetëm. Ajo u dhunua barbarisht nga i shoqi, i cili sapo la ambientet e qelisë ku qëndroi për nëntë muaj pasi ishte shpallur fajtor për dhunë në familje. Burime të gazetës Si rrëfejnë se si shtetasi L. D sapo ka shkelur në prag të shtëpisë nuk i është dashur shumë kohë që të nisë sërish dhunën ndaj bashkëshortes së tij D. D. Ai u mbajt në qeli që nga muaji janar, pas akuzave të gruas, nënë e dy fëmijëve se ai ishte i dhunshëm dhe abuzues me të. Por burri që më pas u vendos nën hetim nga posta e Farkës, një polici lokale në qarkun e kryeqytetit, për gjashtë ditë me radhë pasi la ambientet e burgut u mbajt nën vëzhgimin e vajzave të tij, të cilat nuk ia kishin besën dhe druheshin se ai do vepronte njësoj me të ëmën. Dhe sipas burimeve policore të gazetës Si, të dyja të miturat e kishin parashikuar të atin siç duhet. Ai jo vetëm e rrahu të shoqen, por ju turr asaj me thikë dhe pastaj tentoi të zbriste një kat poshtë vilës ku mbante sende të forta pasi sipas tij do ia thyente këmbë e duar partneres që kishte guxuar ta denonconte dhe ta dërgonte në burg.

Burime të gazetës Si treguan se si rreth orës 23.30 L. D debatoi fillimisht me bashkëshorten duke e fyer atë. Gruaja i thotë policisë se pas këtij momenti, i shoqi kishte dalë nga kontrolli dhe se ajo e dinte që pasi të dilte nga burgu ai do vepronte njësoj. “Më kapi nga flokët, më tërhoqi zvarrë edhe pse aty pranë nesh qëndronin dy vajzat e mitura që nuk më lanë asnjëherë vetëm pasi i ati doli nga qelia. Filloi të më godasë me grushte sikur të isha thes në pjesën e shpatullës, vetëm më godiste. Mu hodh sipër dhe më kapi për fyti tentoi të më mbyste”.

Sipas policisë gruaja është përleshur me bashkëshortin dhe ka shpëtuar nga kthetrat e tij.

“E shtyva me këmbë e qëllova, ai shtrëngonte duart në fytin tim. Kur i shpëtova, ai shkoi në kuzhinë dhe mori thikën”, deklaron më tej e reja, e cila është ndjekur hap pas hapi prej të dyshuarit që sipas dëshmive të dy fëmijëve i ati vërtiste; do t’i pres duar dhe këmbë, do bëj që të dalë shpirti ngadalë , pasi më ke futur në burg”.

Policia referon për gazetën Si edhe dëshminë e nënës së dhunuesit që ka ndërhyrë mes të dyve dhe i ka rrëmbyer thikën, duke rrezikuar jetën e saj. Policia deklaron se pas këtij momenti i dyshuari ka zbritur në bodrumin e vilës për të marrë një shkop dhe për ta goditur gruan e tij. “Po shkoj të marr shkopin, vetëm shkopi të rregullon ty”, ka deklaruar i sapoliruari nga burgu. Sipas policisë gruaja është mbyllur në një dhomë dhe ka telefonuar të afërmit që ndërkohë kanë sinjalizuar menjëherë policinë. Ndërkohë familjarët dëgjonin të bërtiturat e të akuzuarit që godiste derën dhe thërriste “këtu do jemi, do të rregulloj unë ty”.

Policia rrëfen për gazetën Si se gruaja kishte fraktura të nxirash në fyt, të mbetura nga tentativa e të dyshuarit për ta mbytur, si dhe shenja në kurriz dhe në trup. Në referimet e policisë burri i dhunshëm ka përfunduar sërish në qeli, ndërkohë që dosjes kësaj radhe i janë shtuar kundër tij edhe dëshmia e të ëmës që tregon se si i lutej dhe qau para të birit që ta largonte thikën nga dora.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë