Politike

Burri i deputetes Felaj bëhet prokuror, PD: Antikushtetuese

Partia Demokratike e cilëson si antikushtetuese vendimin e Kolegjit të Posacëm të Prokurorisë ku kërkon rikthimin në detyrë Bledar Valikajt si prokuror, bashkëshorti i deputetes së PS-së, Ermonela Felaj.
Deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për median theksoi se reforma në Drejtësi është një nga rastet, kur dështimi për të ngritur një sistem të pavarur drejtësie, në mënyrë që ligji të veprojë njësoj për të gjithë, vuloset nga Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
“Me votën e Gent Ibrahimit, i cili përfaqëson interesat e Edi Ramës në organin më të lartë vendimmarrës për prokurorinë, në sistem është emëruar, në mënyrë antikushtetuese dhe pa veting, bashkëshorti i ish ministres së Edi Ramës, Ermonela Felaj. Rasti i Bledar Valikajt, merita e vetme e të cilit është lidhja bashkëshortore me deputeten e Edi Ramës, përbën një provë skandaloze sesi organet e reja të drejtësisë shkelin kushtetutën për t’i shërbyer pushtetit të kryeministrit, përmes kapjes politike të çdo hallke të sistemit të drejtësisë”, theksoi Alibeaj.
Sipas tij, emërimi i burrit të deputetes socialiste është haptazi në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Reformës në Drejtësi në të paktën 2 pika.
“Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk e ka përfunduar këtë shkollë. Kushtetuta e detyron KLP të emërojë një prokuror vetëm pas përfundimit të vetingut. Burri i deputetes së Edi Ramës nuk ka kaluar në veting. Përdorimi politik i organeve të reja të drejtësisë dhe i vetingut shpjegon pse 63 përq ind e shqiptarëve nuk besojnë më tek vetingu dhe pastrimi i sistemit të drejtësisë”, theksoi Alibeaj..
Për demokratët e vetmja që gjë që po ndodh me procesin e vettingut, ndryshe nga sa iu premtua shqiptarëve, është se gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar po mbahen në sistem, politikanët e korruptuar dhe krimi i organizuar janë të paprekshëm dhe se sistemi i drejtësisë vazhdon të funksionojë vetëm për familjarët e pushtetarëve.
“Nëse reforma në drejtësi u bë për të emëruar pa veting dhe në mënyrë antikushtetuese burrin e Ermonela Felajt, atëherë ajo ia ka arritur qëllimit. Edi Rama ka edhe një ushtar më shumë në drejtësinë e deformuar sipas interesave të tij”, theksoi Alibeaj.

Nenet per te cilat PD pretendon se janë shkelur me vendimin per Bledar Valikajn

Emërimi i Bledar Valikajt si prokuror në Prokurorinë e Tiranës nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka krijuar një ngërç “sui generis” lidhur me kryerjen e procesit të rivlerësimit për të, i njohur ndryshe si procesi i vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pavarësisht se vendimi i 25 marsit i KLP-së që detyron emërimin e Valikajt në detyrë si prokuror në Prokurorinë e Tianës, kjo nuk është realizuar, pasi më parë ai duhet t’i nënshtrohet Vettingut.

Më 23 maj 2017, ai e fitoi gjyqin kundër Presidencës në Gjykatën Administrative të Tiranës, ndërsa në shkurt të vitit 2019, vendimi mori formë të prerë në Gjykatën Administrative të Apelit, me një saktësim në pikën 3 të vendimit: detyrimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të bërë emërimin si prokuror të Valikajt. Pas vendimit të Apelit, bashkëshorti i deputetes Felaj iu drejtua Këshillit të Lartë të Prokurorisë me kërkesën për ta emëruar prokuror në Prokurorinë e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë