Lajme

Burrel, rrëmbehet 31-vjeçari nën kërcënimin e armës, kapet një prej pengmarrësve

Një 31-vjeçar është marrë peng në Burrel nën kërcënimin e armës.
Policia bën me dije se një prej autorëve është vënë në pranga, ndërsa 3 të tjerë janë shpallur në kërkim, si dhe ndiqet penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër.
Siç njofton policia, dje rreth orës 03:40, Policia e Komisariatit Mat ka marrë informacion se në lagjen “Pjetër Budi”, në Burrel, po ndodhte një konflikt mes disa personave.
Pas hetimeve ka rezultuar se shtetasi S. L., në bashkëpunim me shtetasit L. I., M. B., S. L., dhe I. K, për shkak të një konflikti të hershëm dyshohet se nën kërcënimin e armës kanë marrë me forcë në automjet shtetasin A. H., 31 vjeç dhe më pas e kanë dërguar në banesën e shtetasit I. K., në fshatin Batër e Madhe, Burrel.
Policia njofton se është vënë në pranga shtetasi S. L., 32 vjeç, banues në Burrel.
Ndërsa janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve: S. L., 31 vjeç, L. I, 34 vjeç, M. B., 24 vjeç, të gjithë banues në Burrel.
Si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë shtetasi I. K.
Gjatë kontrollit në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar nga Policia arma e zjarrit tip kallashnikov model 56, me 15 fishekë dhe automjeti tip “Mercedes Benz”, i përdorur nga këta shtetas.
Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë Mat për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë