Njerez

Burrat i pëlqejnë gratë më të reja, jo për mishin, por për admirimin


Romancieri francez, Yann Moix pretendon se trupi i një gruaje pesëdhjetëvjeçare nuk mund të dashurohet, krejt ndryshe nga ai i një njëzetepesëvjeçareje. Por e vërteta është se të rejat  priren t’i  respektojnë të vjetrit – dhe kjo është ajo çka dëshirojnë burrat e moshuar.


Zoe Williams/ The Guardian -Ka një numër maksimal të herëve,  që një grua mund të bezdiset rreth asaj që një intelektual francez mendon për të pasmet e saj. Mendoja se e kisha hasur në ’90, kur Michel Houellebecq bëri një analogji të përpunuar prej 300 faqesh, mes çlirimit seksual dhe kapitalizmit të tregut të lirë, që përmbyllej me idenë se gratë po shkatërronin dinjitetin e burrave. Ishte një version ekstremisht i majtë i Jordan Peterson-it, që ishte, nëse mund të imagjinoni diçka të tillë, edhe më i bezdisshëm. E megjithatë, kur shkrimtari Yann Moix tha para pak ditësh se gratë pesëdhjetëvjeçare ishin shumë të moshuara për t’u dashuruar – “Trupi i një njëzetepesëvjeçareje është i jashtëzakonshëm. Trupi i një pesëdhjetëvjeçareje nuk ka asgjë të jashtëzakonshme” –ndjeva  atë indinjatë të vjetër e të shijshme. Nuk është çështja e të folurit rreth nesh sikur të ishim copë mishi. Nuk është përgjithësimi, apo paturpësia e një njeriu që është vetë pesëdhjetë. Është thjesht e pandershme. Nuk ka asgjë më të përbuzshme se një e vërtetë e pakëndshme, e cila nuk është e vërtetë. Burrat nuk i pëlqejnë gratë e reja sepse mishi i tyre është më i fortë, por sepse opinionet e tyre janë diç më pak të forta – ose të paktën kjo është shpresa. Kushdo që është 20 vjet më i ri se ty, priret të marrë me mend se ke të drejtë për më të shumtën e gjërave. Disa burra do të tregtonin shumë pika referimi kulture,  për pakëz admirim. Ngjashëm, klisheja është se gratë e reja frekuentojnë burra më të moshuar, sepse ata janë më të pasur, ndërsa e vërteta më e afërt është se ato duket se dinë plot gjëra të dobishme.

Kur isha 21 vjeç, isha e lidhur me një 34 -vjeçar, australian. Ai dukej shumë i pjekur; hidhte pasrrojë dhe pinte vetëm Wolf Blass. Ende, nëse nuhas “Aramis”, u besoj përdoruesve të saj, në një gamë të gjerë gjërash, veçanërisht drejtimesh. Sidoqoftë, gjatë një zënke rreth parave, ai grisi 250 paundë dhe i hodhi në tualet. Pas kësaj, nisa të pyes veten sesa i rritur ishte vërtet një 34 –vjeçar dhe nisa të dal me një dyzetvjeçar. Thellësisht i vetëdijshëm  dhe në siklet nga diferenca e moshës, ai kaloi një  kohë të gjatë duke këmbëngulur se nuk duhet ta merrja seriozisht, sepse nuk e kish ndryshuar mendjen qëkur ishte 25 vjeç, ndaj ishim në thelb, moshatarë. Ai do t’i krahasonte  me keqardhje  zgjedhjet e  tij të jetës me ato më të epërme, të bëra nga  miqtë e tij. “Tony nuk do të dilte kurrë me një 25-vjeçare. Ai dëshiron një grua me të cilën të flasë rreth grupit “Hawkwind”. Unë nuk mund të flas rreth tyre. Ç’të them? Nuk është e njëjta gjë.”

Për një kohë, po e tradhtoja me një 50- vjeçar, kështu mosha totale e të dashurve të mi, ishte 90 vjeç. Dhe ata, njerëzit e moshuar, i dinë një a dy gjëra. Dinë ç’të porosisin, pse makina  larëse nuk punon, si të ngasin, si të qërojnë hudhrën. Por shumë shpejt mësohesh me atë ç’ka ata dinë dhe shpesh habiten me atë ç’ka nuk dinë dhe,  admirimi dhe besueshmëria që kishe,  i hap rrugë një stili marrëdhënieje prej të barabartësh. Fill pas kësaj, merr fund. Është e vështirë të pranohet se nuk të pëlqejnë sfidat, është më e lehtë të përgojosh trupin e flashkët të një pesëdhjetëvjeçareje. Por nuk na takon neve, grave në moshë të mesme, ta përqeshim Moix-in dhe fashizmin e tij të trupit të rremë. U takon motrave më të reja; ai mendon se ato janë të lehta, por nuk janë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë