Kosova

‘Burrat e vegjël të gjelbër’, mercenarë rusë të Wagner apo serbë? Dyshimet për identitetin e terroristëve në veri

Nga Gazeta ‘Si’- Pas vrasjes së efektivit Afrim Bunjaku në veri të Kosovës mëngjesin e hershëm të së dielës, autoritetet në Kosovë deklaruan menjëherë se kishin të bënin me një sulm të mirëorganizuar. Ashtu siç në fakt rezultoi në orët në vijim.

Formacioni serb i njohur me emrin “Burrat e vegjël të gjelbër”, një referencë nga lufta e vitit 2014 me ushtarët rusë që kishin hyrë në Ukrainë me armatim të rëndë, ishte i pari për të cilët ata dyshuan.

Shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, tha se “burrat e vegjël të gjelbër” të Serbisë kanë hyrë me mjete të blinduara 15 kilometra brenda territorit të Kosovës.

Pas mbledhjes së Këshillimit të Sigurisë, në një konferencë për media edhe kryeministri Kurti deklaroi se formacioni nga 30 terroristë profesionistë, të mbyllur brenda manastirit në Banjskë, ishte i përbërë nga serbë që kishin ardhur të luftonin në Kosovë.

Por ndonëse nuk pati një konfirmim zyrtar, pas publikimit të disa fotove të grupit kriminal nga Kurti, u ngritën shpejt pikëpyetjet nëse formacioni ishte i përbërë me anëtarë të grupit Wagner.

Shkak për këtë dyshim u bë ngjashmëria e uniformave.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti ndërsa u pyet nëse sulmi në veri mund të jetë kryer nga grupi mercenar rus Wagner tha se ka pasur informacione për prezencë të këtyre personave, por megjithatë nuk kishte ende asgjë të konfirmuar.

“Sa i përket grupit Wagner, kemi pasur informacione edhe më herët, kemi pasur informacione që individë të grupit Wagner po lëvizin ose mund të lëvizin, ose mund të sulmojnë. Të gjitha janë trajtuar. Mirëpo deri më tani nuk kemi diçka të argumentuar, të faktuar. Ju e dini që gjykatat kërkojnë gjithçka të dokumentuar. Prandaj si informacione i kemi trajtuar dhe jemi duke i trajtuar”, u përgjigj ai.

Dyshimet u shtuan edhe më shumë kur media të ndryshme në Kosovë, deklaruan se personat e mbyllur brenda manastirit flisnin gjuhën ruse.

Avni Islami, profesor i shkencave të sigurisë në Prishtinë, vlerëson se “formacioni imiton grupin mercenar rus, Wagner”. Në një deklaratë pë Radio Evropa e Lirë ai tha se grupi i armatosur, i cili sulmoi policinë në Banjskë, ishte një formacion i strukturuar dhe i përgatitur mirë.

Sipas tij, grupi nuk funksionoi si i izoluar dhe i vetorganizuar, por si një formacion me uniforma, me armatim specifik dhe i lidhur “me institucionet e sigurisë së Serbisë”.

Megjithatë, ndonëse nuk është mësuar ende identiteti i tre të vrarëve, njëri nga të plagosurit, autor i dyshuar i sulmit terrorist në veri të Kosovës u identifikuar në spital si Vladimir Toniç, serb.

Personi që u diskutua gjerësisht në rrjetet sociale ishte shtetasi serb Radomir Pocuca.

Radomir Pocuca

Mediat në Kosovë deklaruan se ai ishte një nga tre të vrarët por sot(25 shtator) ai ka hedhur poshtë duke deklaruar se është gjallë edhe ndodhet në Beograd.

Fotot e tij në rrjetet sociale tregojnë se ishte një ekstremist dhe që qëndronte i armatosur. Gjithashtu thuhet se ai ishte i dënuar nga shteti serb për pjesëmarrje ilegale në luftën e Ukrainës.

Ndërsa presidenti i serbisë, Aleksandër Vuçiç pohoi se personat e mbyllur në manastir ishin serbët e veriut të cilët ishin revoltuar ndaj Albin Kurtit.

Sipas tij, serbët e Serbisë Qendrore nuk ishin të përfshirë në këtë situatë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë