Kosova

Sveçla: Gjetëm harta dhe plane për sulmin. Radoiçiç i lidhur me ngjarjen

Nga Gazeta 'Si'-Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet kanë gjetur harta dhe plane për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator. Ai argumentoi se sulmi ishte planifikuar për muaj të tërë.

Këto deklarata ministri Sveçla i bërë gjatë një konference për media të hënën(25 shtator).

"Radoiçiç i lidhur me sulmin"

Sipas tij, në bazë të dokumenteve, nënkryetari i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë, që ka mbështetjen e Beogradit – Millan Radoiçiç, është i lidhur me sulmin.

“Në këto materiale, po ashtu kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit që, po ashtu, është në listën e zezë të SHBA-së, Millan Radoiçiç, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen apo pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve të institucioneve të Serbisë dhënë Millan Radoiçiçit ku është edhe lista me armët që ai posedon, me numra, me të gjitha që janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër që dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës”, tha Sveçla gjatë konferencës për media, ku policia ekspozoi armët dhe pajisjet që ka gjetur në vendin e ngjarjes.

"Në bazë të armëve të gjetura ka pasur plan që të përfshiheshin qindra persona"

Sipas tij, në bazë të armëve që kanë gjetur, besohet se ka pasur plan që në sulm të përfshiheshin “qindra persona për destabilizimin e vendit tonë”.

Sveçla tha se, sipas informatave të deritashme, “gjashtë terroristë po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit (qytet në Serbi)”, ndërsa i bëri thirrje Serbisë që t’ia dorëzojë Kosovës.

Ai tha se përveç tyre, edhe pjesëtarë të tjerë të grupit që mund të kenë ikur për në Serbi, duhet t’i dorëzohen Kosovës që të përballen me drejtësinë.

Ai tha se në bazë të informatave, disa nga pjesëtarët e grupit që sulmuan policinë ishin pjesëtarë të “Brigadës së Veriut” dhe “Mbrojtjes Civile”, që Kosova i ka shpallur si organizata terroriste më herët gjatë vitit.

Armët që policia tha se i ka konfiskuar në Banjskë.

"Është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiç"

Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se në një makinë Mercedes, me targa të Beogradit, është gjetur një leje për armë në emër të Radoiçiçit.

“Dokumenti është i lëshuar nga autoritete serbe, duke ngritur dyshimin e fuqishëm që në mesin e persona të armatosur dhe uniformuar edhe vetë Millan Radoiçiç”, tha Hoxha.

“Ky grup terrorist dyshohet se është organizuar nga Millan Radoiçiç, njeri i afërt me presidentin [e Serbisë] Aleksandar Vuçiç. Grupi terrorist në sigurimin e armëve dhe mjeteve logjistike, përfshirë edhe hyrjen në Kosovë me mbi 26 mjete motorike dyshohet të jetë përkrahur dhe mbështetur në mënyrë aktive nga Qeveria e Serbisë”, theksoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë