Trend

Burra, t’i futemi grimit! 


Isha në qoshkun me pasqyra të një bari sanduiçësh në  aeroport, kur vështrova veten. Ndërsa përkulesha të nxirrja kartën e bankës, hodha sytë poshtë dhe ja ku isha;  një pikturë pikëlluese. Nën secilin prej syve të mi kishte një gjysmë rrethi të mbufatur  lëkure të errët dhe hije. A do të më linin në avion me bagazhe ekstra? Edhe nëse po, si të dilja nëpër mbledhje dhe intervista të planifikuara ditë përpara me dinamikë dhe zell, duke e ditur se ngjaja si një minator qymyri i përvuajtur,  që sapo kishte dalë nga galeria? Befas u ndjeva tejet i plakur dhe i drobitur. Aty pranë, tek një kimist gjeta ilaçin. “Kremi i fundit i syve”, lexonte etiketa.

Çmimi ishte diçka rreth 1.5 paundë për mililitër – para të çmendura – por pasiguria e qeskave të syve të mi ishte edhe më e çmendur. Dhe sa më i kushtueshëm të ishte, aq më mirë e bënte punën. E drejtë apo jo? Pagova dhe, me të hipur në avion, e vura në fytyrë. Ah. Letra smeril u shndërrua në mëndafsh. Hijet u sprapsën prej dritës. Të paktën kështu dukej në banjën e avionit. “Amore, ç’e ke atë poshtë syve?” më pyeti e dashura atë mbrëmje. Pasi isha përballur me traumën e qeskave të syve në barin e aeroportit, i tregova asaj kremin tim “Olay”. “Por ky është makijazh! Ka ngjyrë!” Ndërsa ajo qeshte, ndjeva një krizë mashkullore. Por ai “Olay” më bëri të ndihesha mirë. Kështu citova xhaketën e Melania Trump-it. “ Mua nuk më bëhet vonë – Po ty?”

Mish i freskët? Luke  vëzhgon qeskat e përmirësuara të syve.

Jam larg së qeni një burrë kureshtar rreth makijazhit. Ngadalë, pas vitesh flirti të druajtur, produktet mashkullore të bukurisë po bëhen një kategori e vërtetë kozmetikesh. Industria e mirëmbajtjes së burrave është fokusuar prej kohësh në shitjen e produkteve që tregtohen për të negociuar pasiguritë e  heteronormativës mashkullore,  duke theksuar performancën mbi estetikën. Kështu një krem zbutës pretendon të “sulmojë” rrudhat”, një deodorant “eliminon” djersën dhe një eksfoliant “spastron” lëkurën e thatë. Herën tjetër kur të gjendesh në një farmaci për burra, kontrollo etiketat dhe do të shohësh: gjuha e raftit mashkullor të banjës është e mbushur me idenë e të qenit luftëtar. Gjëja më pafat është se në vend të “bukurisë” ne marrim “grazhdim” një term i aplikuar shpesh për kuajt, qentë dhe kaviet.  Tani produktet mashkullore po ndryshojnë.

Një sërë markash kanë nisur të paraqesin artikuj si zbukurues, mjete krejt estetike dhe jo theksues kallpë të performancës. “Chanel” ka nxjerrë linjën e produkteve të dedikuara, për meshkujt, “Boy de Chanel”, një gamë me lapsa për vetulla,  zbutës buzësh mat dhe korrektor me faktor mbrojtës nga dielli, SPF  25. Tom Ford, pionier në këtë fushë, ofron fiksues vetullash, korrektorë dhe nxirës për meshkuj. Ashtu si kremi im i syve, një produkt bukurie nuk duhet të etiketohet “për burra”, që të përdoret prej tyre. Një shefe  kompanie kozmetike, e cila punon për një firmë rivale, më ka thënë dikur se makijazhi i grave nga “Estée Lauder” është veçanërisht popullor mes meshkujve, të cilët bëjnë më shumë sesa hidratohen, për shkak se, thotë ajo, “produktet janë klasike, paketimi është i matur dhe ata janë mjete të besueshme për meshkujt që duan të  pispillosen,  pa u dukur se e kanë bërë.”

Theksi tek maturia, është tregues, duke pasur parasysh stigmën e vjetër rreth burrave që përdorin grim, pa u fshehur. Në Kinë, një gjeneratë e zellshme meshkujsh të rinj, vlogerë bukurie të njohur kolektivisht si “mishrat e rinj të freskët” kanë përdorur medien sociale për të zbuluar përmbajtjen e çantës së tyre të grimit. Në një kundërsulm,  Xinhua, Agjencia Shtetërore e Lajmeve në Kinë, botoi një artikull rreth një bande të famshme djemsh, duke shkruar:  “Ata duken androgjinë dhe përdorin makijazh.  Ata janë të hollë dhe të dobët.” Vazhdonte t’i përshkruante burrat me grim si “motra”, “të çuditshëm” dhe pjesë e një “kulture të sëmurë.” “Unë jam më shumë “pastërma e vjetër e dhjamosur”  sesa “mish i hollë, i freskët”.  Por  për solidarizim me vëllezërit e mi kinezë që grimohen  dhe për shkak se i urrej ato qeskat e syve, nuk do të ngurroj të investoj në një vazo të re kremi sysh, kur të më mbarojë ai që bleva në aeroport. Jam gati të bëhem i bukur. *LUKE LEITCH / Revista 1843/ The Economist


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë