Rend dhe Ligj

Burg 21-vjeçarit, dyshohet si vrasës me pagesë që mori pjesë në vrasjen e dyfishtë në Laç

Gjykata e Kurbinit dha masën e sigurisë “arrest me burg” për 21-vjeçarin Kreshnik Tusha, i akuzuar si njëri prej të paktën katër personave që morën pjesë në atenatin mafioz ku mbetën të vrarë dy persona në zonën e Laçit më 30 maj.

Vendimi është marrë në orët e mbrëmjes së të martës dhe i është komunikuar të dyshuarit në Spitalin e Traumës, ku ndodhet nën masa të rrepta sigurie për shkak të plagëve të marra gjatë shkëmbimit të zjarrit me dy viktimat.

Vetë Tusha ka mohuar se ka lidhje me ngjarjen dhe pretendon se plagën me armë zjarri në këmbë e ka marrë gabimisht në banesën e tij. Por, grupi hetimor dyshon se ai është vrasës me pagesë dhe për të provuar përfshirjen dhe rindërtuar lëvizjet e tij natën e 30 majit pritet analiza e njollave të gjakut të siguruara në terren.

Nga dëshmitë e mbledhura deri më tani, grupi hetimor ka arritur që të rindërtojë se çfarë ka ndodhur më 30 maj në një hotel në autostradën Mamurras-Lezhë. Sipas këtij rindërtimi, autorët janë paraqitur të maskuar dhe me uniformën e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Ata kanë qenë 4 persona. Dy prej tyre kanë hyrë në ambientet e lokalit të hotelit ku ndodhej Bujar Hasani, 37 vjeç, njohur si mik i Ervis Martinajt dhe Paulin Gjergji, 53 vjeç, ndërsa dy të tjerë kanë neutralizuar dy djemtë e Paulin Gjergjit, që ndodheshin në oborrin e hotelit.

Njëri prej punonjësve të hotelit, dëshmitar okular në ngjarje, ka rrëfyer se në momentin që kanë hyrë brenda të veshur me rroba policie dhe të maskuar, autorët kanë thirrur në emër Bujar Hasanin dhe më pas e kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi, ku njëri prej plumbave që e ka kapur në kokë i ka shkaktuar vdekjen.

Paulin Gjergji është përpjekur që t’u largohet plumbave, por në largim e sipër ka mbetur i plagosur. Ai u shoqërua për në Spitalin e Traumës, ku gjeti vdekjen pak orë më vonë si pasojë e plagëve të marra.

Grupi hetimor dyshon se në atentat, veç Kreshnik Tushës janë përfshirë edhe gjashtë persona të tjerë dhe që të gjithë mendohet se janë pjesë e një grupi vrasësish me pagesë. Tusha dyshohet se ka qenë njëri prej katër personave të armatosur, të maskuar dhe të veshur si policë që kanë marrë pjesë në shkëmbimin e zjarrit, ndërsa nga pamjet e kamerave të sigurisë të hotelit dhe të bizneseve përreth, dyshohet se dy persona të tjerë kanë shërbyer si informatorë të lëvizjeve të viktimave dhe një tjetër ka qëndruar në automjet duke e mbajtur këtë të fundit ndezur dhe gati për t’u arratisur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë