Futboll

Bundesliga rikthen tifozët, stadiume të hapura deri në 20%

Bundesliga u hap dyert tifozëve. Sigurisht, është një nismë që fillon me hapa të vegjël. Për fillimin e kampionatit gjerman, stadiumet mund të mbushen me tifozë deri në masën 20% të kapacitetit të tyre. Ky është një test që do të zgjatë 6 javë, deri në fund të tetorit, ku do të bëhet një vlerësim i ri i situatës. Vendimi është marrë nga 16 shtetet federale të Gjermanisë.

Në stadiume nuk do të ketë më tifozë kartoni, por tifozë të vërtetë. Hapja e pjesshme e stadiumeve duhet të nisë që këtë të premte, në ndeshjen Bajern-Shalke, edhe pse të dhënat e fundit të të infektuarve ne Mynih e kanë kaluar limitin dhe stadiumet mund të mbyllen sërish. "Është një lloj eksperimenti, një lloj prove”, - ka saktësuar kryeministri i Bavarisë, Markus Sëder.

Gjatë muajve të fundit, disa lande kanë lejuar hyrjen e publikut në shkallët e stadiumit për ndeshjet e Kupës së Gjermanisë. Për shembull, ndeshjen Hansa Rostok-Shtutgard, e ndoqën 7500 spektatorë, madje pa diferencim social në disa sektorë. Edhe katër klube të tjera kanë marrë lejen e autoriteteve shëndetësore për të pasur tifozë në stadiume edhe në kampionat. Për ndeshjet Verder Bremen-Herta Berlin dhe Lajpcig-Mainc u lejuan 8500 spektatorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë