Politike

Bullgaria bllokon negociatat me Shqipërinë

Edhe pse vendi më skeptik për negociatat me Shqipërinë është Holanda, ajo që mund të shtyjë sërish nisjen e bisedimeve të integrimit europian javën e ardhshme është Bullgaria.

Sofja zyrtare nuk ka në fakt asnjë kundërshtim për mbajtjen e konferencës së parë qeveritare me Shqipërinë, por ka paralajmëruar se do të bllokojë integrimin e Maqedonisë së Veriut, duke e kthyer kështu vendin tonë në “viktimë rrethanore”.

Bashkimi Europian është ende i prerë për mos ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut, duke e vënë kështu vendin tonë në të njëjtin pozicion si Shkupi, kur Franca dhe Holanda bllokuan për dy vite rresht hapjen e negociatave me Tiranën zyrtare.

Komisioni Europian ka miratua tanimë “kornizën për negociatat” me të dyja vendet dhe mbajtja e konferencës së parë qeveritare është në agjendën e  Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për 10 nëntor.

“Por Bullgaria nuk mund të miratojë kornizën negociuese të BE për Maqedoninë e Veriut në formën e saj aktuale”, tha Ministra e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva të mërkurën.

Udhëheqësit e BE do të vendosin nëse do të fillojnë bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në samitin e tyre të dhjetorit pot Bullgaria ka kërcënuar me veto për shkak të asaj që ajo e konsideron një fushatë anti-bullgare në mediat e fqinjit të saj dhe mungesës së vullnetit për të gjetur marrëveshje për çështje të tilla si historia e përbashkët.

“Problemi është se, sipas nesh, Traktati i Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nuk po zbatohet me përpikëri,” tha Zaharieva.

Ky traktat, i nënshkruar në gusht 2017, parashikonte krijimin e një grupi të përbashkët historianë për të zgjidhur çështjen e historisë së përbashkët. Sipas raporteve, Shkupi po mundohet të zvarrisë cështje dhe nuk është arritur asnjë përparim.

Zaharieva shtoi se pavarësisht shumë spekulimeve në mediat maqedonase, Bullgaria as nuk ka dashur ndryshime kushtetuese dhe as nuk ka bërë kërkesa të reja.

“Nëse qeveria bullgare bllokon negociatat me Shkupin, ajo duhet të bëjë të njëjtën gjë me Shqipërinë, duke pasur parasysh se qëndrimi zyrtar Bullgar është se të dy vendet duhet të lëvizin drejt BE në të njëjtën kohë”, shkruan sot gazeta europiane “Euractiv”.

Zbatimi i marrëveshjes së ndryshimit të emrit midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut (marrëveshja e Prespës) si dhe një marrëveshje miqësie midis Sofjes dhe Shkupit duhet të vazhdojnë të zbatohen me “mirëbesim”, i tha një zëdhënës i BE në fillim të tetorit.

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë