Biznes

Bukuria ngre qepenat… Vetëm sa për të ruajtur klientelën

Nënë Maria rreth të 75-ve, e mbështetur mbi bastunin e saj të ri që ia kishin blerë 2500 lekë, siç do ta dëgjoja nga biseda e saj me Esin më vonë, ishte në mezipritje që të hiqte vetulla.

Teksa isha në bisedë me parukiere Esin, e cila ka një butik të vogël bukurie në rrugën "Mustafa Matohiti", dëgjohej jashtë derës zëri i nënë Maries.

“Nuk qëndroj dot më këmbë. Ke edhe shumë”?

Nënë Marias i kishte munguar diçka nga jeta e përditshme e një femre.

Ajo nuk kishte marrë maskë, as dorashka sepse “ishte në lagje”, sipas saj.

Esi i vendosi maskën, i dezinfektoi duart dhe nisi t'i hiqte vetullat.

Në krye të bisedës, parukierja më tregoi se ishte e gëzuar dhe e kënaqur që kishte nisur puna, "si për ekonominë, ashtu edhe për gjendjen psikologjike". "Ishte e pamundur ta shtyje më përtej dy muajve. Nuk kisha çfarë sajoja as për vajzën më brenda katër mureve", thotë ajo.

Por përveç kësaj të mire të madhe, ka edhe vështirësi po aq të mëdha.

Tek të gjitha parukeritë, qendrat estetike dhe berberanat që shëtita, hapja e bizneseve në kushtet kur infeksioni është ende mes nesh dhe bashkë me të frika e autoriteteve dhe njerëzve nxit vigjilencën dhe masat e sigurisë, është e vështirë të mendosh për fitim.

“Jam e kënaqur që të paktën do mbaj klientelën, se për fitim nuk bëhet fjalë. Unë leva dyqanin, dezinfektova, bleva produktet mbrojtëse. E kam nisur me 30 mijë lekë punën. Dhe nuk do të mund ti fitoj shpejt sepse nuk mund të punoj gjatë si më parë”- thotë Esi, e cila, tek i heq nënë Marisë vetullat ka vështirësi me dorashkat dhe herë pas here përpiqet të mbajë frymën, se frika i ka theksuar kryet.

Tek Arta gjej një kliente tek pjesa e parukerisë dhe një tek pjesa e estetikës.

Edhe Arta sipas rregullave kishte lyer dhe dezinfektuar përpara se ta riçelte veprimtarinë.

“Përveç bllokimit të punës, tani nuk punojmë dot të zëvendësojmë humbjet. Puna për shkak të rregullave do të bjerë me 50% dhe çmimet nuk i rrisim dot sepse njerëzit nuk kanë”- thotë Arta, “plus kostot shtesë të produkteve të mbrojtjes që 400 lekë kushton një maskë, të cilën unë nuk e mbaj më shumë se 2-3 orë. Alkhooli, xheli, etj”.

Kurse Eva, e cila qendrën e aktivitetit e ka gati në rrugë kryesore, i ka ringritur qepenët me një faturë të majme.

Lyerja, dezinfektimi dhe disa rregullime të tjera i kanë kushtuar 50 mijë lekë.

Por nuk ka mjaftuar vetëm kjo. Gjatë bisedës, pasi më ka shprehur entuziazmin që puna nisi, më tregon librezën e energjisë elektrike ku kishte paguar edhe muajin mars.

“Teksa di që ka pasur plot biznese që kanë punuar me qepena mbyllur, unë  nuk e kam hapur derën e aktivitetit as për veten time. Pas dy muajsh e hap sot dhe kjo vërtetohet fare mirë duke më lexuar sahatin. Unë kam paguar për muajin mars më shumë se në janar e shkurt që kam punuar. Në mars kam paguar faturë të plotë 105 mijë lekë të vjetra”, tregon Eva, edhe pse e qeshur duke më thënë se “duhet të jemi optimist”.

Duke përgatitur një bojë për të lyer flokët e një zonjë rreth të 60-ve, më tregon se ka shpenzuar për të qenë në rregull me të gjithë protokollin e urdhëruar.

Por me gjykimin e saj do jetë e vështirë sepse me 5-6 klientë që mund të arrijë t'u shërbejë në ditë, vështirë të përballojë shpenzimet që do të nisin dhe humbjet e dy muajve, plus kostot shtesë.

“Që të arrij të përballoj aktivitetin duhet të rrisë çmimet, por si mund ta bëj në këtë gjendje? Ka nga ata që kanë humbur punën, nga ata që vazhdojnë, por nuk marrin rrogë etj. Është shumë pak për ne deri në 17:30 dhe me kosto shtesë”, thotë Eva.

Një problem tjetër është përballja me klientelën; jo të gjithë i qasen sallonit me maska dhe dorashka sipas rregullores së kërkuar. Edhe kjo, thonë estetistet, është një kosto shtesë, sepse rreziku i gjobës i bën ato që të marrin masat me kostot e tyre për t’i shërbyer klientelës me dorashka, maskë dhe qeset e këmbëve.

Edhe Anxhela tek "Myslym Shyri" thotë që është e kënaqur që ka nisur puna, por nuk di nëse do t’ia dalë. Ajo mendon se puna ka për të rënë 20-50 %.

“Nëse përpara pandemisë klientë të caktuar prisnin tek divani dhe e dinin që do t’u vinte radha sepse unë nuk e mbyllja pa përfunduar të gjithë klientët, ata që rezervonin dhe ata rastësor, tani nuk ndodh kjo. Orari është i kufizuar dhe në sallon nuk mund të qendrojë më shumë se një klient, shtoji faktin që unë jam vetëm, nuk kam ndihmëse. Kjo do ta vështorësojë punën e shpenzimeve”, thotë Anxhela, teksa zonja që po lyen flokët është e kënaqur që po i rikthehet rutinës. “Nesër filloj punën dhe më kishte marrë malli për këto rituale bukurie. Mirëmbajtja është mirëqenie psikofizike, sidomos kur ke qenë e izoluar për dy muaj”, thotë zonja e ulur në poltronë, teksa lutet të mos e fotografoj.

Në një berberhanë, një klient, burrë rreth të 60-ve më thotë se mezipritja për t’u qethur e ka bërë të priste në radhë jashtë berberhanës për më shumë se një orë.

I zoti i berberhanës, një djalë i ri që po i shërben zotërisë, thotë se situata është e paqartë dhe nuk parashikon dot se si do të shkojë puna, por për një gjë është i sigurt: "Me kufizimin e orarit, do të jetë shumë e vështirë". Edhe ai si të gjithë ka bërë shpenzime përpara se të ngrinte qepenin për të lyer dhe dezinfektuar. Kërkesa ka, thotë ai, por “ne nuk mund t'i realizojmë për shkak të kufizimit të orarit”.

Treni i jetës në Tiranë kishte hyrë në shinat e normalitetit; të ri apo të vjetër, kjo mbetet ende për t’u parë. Por në sallonet e bukurisë dhe qendrat e estetikës klientët e përhershëm kishin trokitur “që pa gdhirë”…

Sallone bukurie, parukeri dhe berberë sot në Tiranë (fotogaleri):


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë