Art dhe Kulture

Bukuria ambicioze në shfaqjet e Karl Lagerfeld nga fotografi Simon Procter

Artisti dhe fotografi Simon Procter filloi të filmonte shfaqjet e modës rastësisht. Ishte fati i tij të takohej me bashkëthemeluesin e “V Magazine”, James Kaliardos, i cili e pa atë të fotografonte shfaqjen e tij të parë. Fotografitë, të cilat ishin të pazakonshme nga stili që ata ishin mësuar, reklamuan profilin e tij në botën e modës dhe i dhanë mundësinë të fotografonte Javët e Modës në Milano dhe New York. Procter kishte një stil të veçantë të fotografuari, ai kapte çdo kënd të mundshëm dhe më pas formonte një imazh spektakolar me çdo foto dhe kjo gjë e çoi në një marrëdhënie të afërt me “Chanel” dhe në veçanti me drejtorin e saj kreativ, Karl Lagerfeld.

Në një libër të ri, të titulluar “Lagerfeld : The Chanel Shows”, janë përmbledhur fotografitë e pasarelave ndër 10 vite duke vënë në dukje stilin e Procter dhe pafundësinë krijuese të shfaqjeve të Lagerfeld. “Në kontekstin e shfaqjeve të mëdhaja të modës, ata janë më të mirët, më të mëdhenjtë dhe më ambiciozët”, tha Procter në një intervistë telefonike. “Është si art instalimi, ata janë të mrekullueshëm. Ti hyn aty dhe ata kanë ndërtuar një ujëvarë apo një det me dallgë”. Procter i konsideron fotografitë e tij si vepra arti më shumë se vepra gazetarie. Ai shpjegoi se pjesët e tij “Janë të pazakonshme se në të vërtetë nuk janë dokumentarë. Unë i rimodeloj ato për ta prezantuar të gjithën. Ato e përmbledhin më mirë se çfarë ka ndodhur në një fotografi apo video normale”.

“Është diçka me të vërtetë ndryshe për një artist. Njerëzit janë shumë të interesuar në atë çfarë unë bëj sepse është “Chanel” apo Karl Lagerfeld”, vazhdoi ai. “Por fakti se ato janë shfaqjet e “Chanel” dhe lidhja ime me to, nuk mund të ankohem, është e mrekullueshme. Mendoj se kam krijuar diçka timen”.

Stili personal i Procter shpesh i ka dhënë atij akses në vizionin e Lagerfeld. Në librin e tij, ai përshkruan se si kishte siguruar një vend në podiumin e fotografëve në shfaqjen “Chanel’s Haute Couture Spring-Summer 2010”, dhe më pas Karl kishte dërguar njerëz që ta merrnin dhe ta çonin në prapaskenë. Aty, ai fotografoi modelet ndërsa ato përgatiteshin dhe më pas ecnin drejt pasarelës, për të rikrijuar më pas të njëjtën energji të zhurmshme të kësaj shfaqjeje. “Është shumë e vështirë të bësh një foto të keqe në prapaskenën e një shfaqjeje mode, me gjithë ata njerëz të bukur dhe artistët më të mirë të makeup-it në botë”, tha Procter.

Në raste të tjera, ai nuk ka pasur një pozicion kaq me fat ndaj i është dashur të improvizojë. Në shfaqjen “Haute Couture Winter 2018” në Paris, “Chanel” krijoi një sfond i cili pasqyronte rrugët e qytetit jashtë. Ndaj, për këtë shfaqje spektakolare Procter u pozicionua mbrapa “tri radhëve të mbushura me fotografë dhe videografë”, siç shkroi ai në libër.

“Ishte me të vërtetë frustuese të ishe përballë një imazhi kaq madhështor dhe të mos ishe në pozicionin e duhur për ta kapur atë siç duhet”, vazhdoi ai. “Unë vendosa se mund ta rikonstruktoja komplet shfaqjen, duke marrë një imazh të Bazilikës dhe duke e përsëritur atë në sfond. Me disa ditë të gjata pune duke shtuar shtresa atmosfera dhe lëvizje në lumin e pikturuar, vepra e artit më në fund përfundoi”. Rezultati? Një shfaqje mode që dukej sikur kishte ndodhur në brigjet e lumit Seine.

Mendja e tij krijuese e lejoi Procter ti dërgonte shfaqjet që fotografonte jashtë kornizave të realitetit pa pasur rëndësi vendi ku atij i duhej të qëndronte gjatë sfilatave.

“Unë kisha kohë të limituar, dhe ndonjëherë ti vihesh në një pozicion ku nuk mund të shohësh asgjë”, tha Procter për “CNN”.

“Ideja që të shkosh larg dhe të arrish diçka? Ajo është motivimi si një artist”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë