Lajme

Bujar Spahiu në krye të KMSH. Gurra: U katapultuan Gylenistët

Myftiu Bujar Spahiu është zgjedhur kryetari i ri i Komunitetit Mysliman Shqiptar, i cili mbante postin e nënkryetarit të KMSH-së. Ai mori 59 vota.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman për zgjedhjen e kryetarit të ri nisi në orën 10:30 te Medreseja e Tiranës.

Fjalën e hapjes e ka mbajtur myftiu Skënder Bruçaj, ish-kreu aktual i KMSH, që një ditë më parë u tërhoq nga gara për një mandat të dytë, ndërsa u skualifikua edhe Gëzim Abdishaku, pasi nuk plotësonte kriteret. Ndërkohë, sot u tërhoq nga gara kandidati Islam Hoxha, pasi në të njëjtën kohë ishte edhe kreu i Këshillit të Përgjithshëm të KMSH.

Në garë për kreun e Komunitetit Mysliman Shqiptar ishin Bujar Spahiu, nënkryetar i KMSH, Ylli Gurra, myftiu i Tiranës dhe Gramos Blliku, myftiu i Lushnjës.

Kanë qenë 35 myftinj, 12 anëtarët e kryesisë së KMSH dhe 45 anëtarë të shoqërisë civile, që me votë të fshehtë kanë zgjedhur kryetarin për një mandat 5-vjeçar.

Myftiu i Tiranës Gurra, kontenston rezultatin

Por zgjedhjet për kreun e ri të Komunitetit mysliman Shqiptar, të fituara duket se kanë ndezur një përplasje të brendshme në këtë institucion. Qetësia e procesit zgjedhor duket se nuk është reflektuar në fund të garës, pasi myftiu i Tiranës, Ylli Gurra, i cili mori vetëm 26 vota i ka cilësuar zgjedhjet si farsë.

“Kemi një farsë të organizmit të zgjedhjeve në këtë mënyrë - tha Gurra. - Kërkova shtyrjen e votimit për arsye të takimeve dhe ankesave të qytetarëve. U vërtetua se përkundër dëshirës time të zjarrtë për të drejtuar një KMSH për shqiptarët, sot jemi para një fakti të një kapjeje të institucionit. Më lejoni të flas me shqipen e Naim Frashërit. Kryetari i KMSH nuk mund të zgjidhet nga organizma okultë. U imponua një titullar që nuk ka bërë asgjë në komunitet. Humbje të tëra pronësie”, - shtoi ai.

Ai shkoi edhe më tej me akuzat për zgjedhje farsë, duke thënë se KMSH tashmë është kapur nga Gylenistët.

"Ndiej detyrim qytetar dhe besimor që nën presionin e atëhershëm, sot ju imponua myslimanëve një titullar. Në 5 vite nuk kemi parë asgjë (nuk kam asgjë me atë si person). Komuniteti ka humbur pronat, nuk ka bashkëpunuar me myftininë e Tiranës, por edhe të tjerat. Edhe ato pak të ardhura kanalizohen jashtë objektivave. Dërgesat kalojnë pa transparencë nga kryesia, - u shpreh Gurra. - Ajo çka përmenda, organizëm okult, ata të cilët i kanë imponuar komunitetit mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve dhe disa myftinive dhe Shoqërisë Civile dje katapultuan titullarin. Kjo organizatë dihet publikisht. Gylenistët apo Kemalistët nuk janë pa ndikime në këtë rrjedhë ngjarje dhe të tilla katapultime në krerët myslimanë të këtij vendit".

Në fund, Gurra mohoi që të dorëhiqet nga posti i Myftiut të Tiranës. "Komuniteti nuk është peng i askujt, as i ndonjë qeverie. Në ditët e ardhshme do të ketë zhvillime. Nuk kam arsye që të jap dorëheqjen nga pozicioni i myftiut të Tiranës. Unë jam shqiptar, jam mysliman, ushtari i askujt, as në Anadoll as në një vend. I shërbej vendit tim pa asnjë ndikim nga okultët" tha Gurra.

Kush është kreu i ri i KMSH-së, Bujar Spahiu

Bujar Spahiu ka lindur më 26 shkurt 1976 në Kukës. Pasi mbaroi arsimin 8-vjeçar në Shkollën “Lidhja e Prizrenit në Kolesjan, ai u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve që u nisën nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë drejt Turqisë në vitin 1992.

Kështu, më 1996 ai kreu Medresenë Bejkoz në Stamboll, Turqi. Më pas ai kreu studimet Teologjike universitare dhe pasuniversitare në Universitetin e Ez’herit në Egjipt në vitin 2003 në fushën e Tefsirit (interpretimi i Kuranit).

Bujar Spahiu, ka një kontribut të gjatë në Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, ku ka shërbyer si  drejtor në Drejtorinë e Arsimit në KMSH nga viti 2006 deri 2009 dhe nga vitit 2009 deri në vitin 2019 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit në këtë institucion.

Bujar Spahiu ka marrë pjesë dhe ka përfaqësuar Komunitetin Mysliman në shumë takime të rëndësishme, organizime të ndryshme, konferenca, simpoziume, etj. Z.Spahiu është i martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë.

Bruçaj: Në garë kandidatë më të mirë se unë

Myftiu Bruçaj i ka falënderuar të gjithë dhe ka shpjeguar arsyen e dorëheqjes. Ai është shprehur se ka vendosur dorëheqjen nga një rikandidim pasi ka kandidatë edhe më të mirë se ai, që kanë mbaruar universitet më të mira islame në botë.

“Në përfundim të këtij mandati 5-vjeçar, edhe pse mundësia dhe tradita e mëparshme legjitime, si dhe mbështetja e Kryesisë dhe e shumicës suaj mund të bënin që të vazhdoja edhe të paktën një mandat, jam i mendimit që mes jush, siç janë dhe kandidatët sot ka edhe më të mirë se unë për ta kryer këtë detyrë të rëndë dhe me përgjegjësi. Prandaj vendosa mbrëmë tërheqjen nga një rikandidim për të hapur dhe një rrugë të re, jo vetëm dhe një rotacion, por tashmë edhe teologëve të nderuar, që kanë mbaruar universitet më të mira islame në botë.

Unë ju falënderoj shumë për interesimin tuaj, mesazhet dhe telefonatat e pafund që më erdhën mbrëmë, duke e vlerësuar këtë gjest. Unë jam vetëm se njëri prej jush dhe dëshiroj të vazhdoj i tillë edhe në vazhdim”, shprehet myftiu.

Në fund, ai u uron suksese kandidatëve dhe shprehet që të votohet më i hajrit për institucionin. “Duke ju uruar kandidatëve suksese në garë, u drejtohem juve anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm, që votimi për kryetarin është i fshehtë, pra mes ndërgjegjes tuaj dhe Zotit. Votoni për kë mendoni se mund të bëhet më i hajrit për institucionin në raport dhe me përgjegjësinë që do marrë dhe mos harroni, që nesër do ju pyesë Zoti edhe për këtë zgjedhje që do bëni”, përfundon myftiu.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë