Lajme

BSH: Ulja e numrit të bankave dhe rritja e kapitalit vendas, pozitive

Banka e Shqipërisë shprehet në Raportin e Stabilitetit Financiar se zhvillimet në ekonominë reale dhe në tregun financiar, gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2018, ndikuan në zgjerimin e veprimtarisë së sistemit financiar dhe sektorit bankar në vend.

“Ndryshimet që po ndodhin në strukturën e sektorit bankar, janë shoqëruar me rritjen e peshës së kapitalit vendas dhe uljen e numrit të bankave. Ky proces, pritet të kontribuojë pozitivisht në ecurinë e ndërmjetësimit financiar. Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë mbeti i kontrolluar, në kushtet kur kreditë me probleme vijuan rënien, treguesit e rreziqeve të tregut nuk patën ndryshime gjatë periudhës dhe treguesit e likuiditetit ishin në nivele të larta. Rezistenca e sektorit bankar ndaj këtyre rreziqeve vlerësohet e fortë, në kushtet kur veprimtaria e tij paraqitet me fitim dhe kapitalizimi i tij është në nivele të mira. Në vijim të këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar mbetet i qëndrueshëm”, citohet në vlerësimin e Bankës Qendrore.

Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij.

Publikimi i tij bëhet çdo gjashtë muaj konform Ligjit "Për Bankën e Shqipërisë".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë