Para

BSH ul normën bazë të interesit të lekut në 0,5 %

Ashtu siç pritej nga diskutimet e ditëve të fundit lidhur me masat që po merr Shqipëria për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të Covid-19 dhe njëkohësisht duke mbështetur ekonomikisht dhe financiarisht paralizimin e ekonomisë në këtë periudhë të fatkeqësisë natyrore, Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë ka vendosur të ulë normën bazë të interesit të lekut në 0,5 % nga 1 % që  ishte.

Gjithashtu Këshilli Mbikqyrës vendosi të ulë normën e interesit të kredisë njëditore, nga 1.9% në 0.9%;

Dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 0.1%.

Guvernatori i Bankës së Shqipëris Genc Sejko në konferencën periodike për shtyp, por jo të zakonshme, duke e afruar atë në orar në mesditë për shkak të masave dhe njëkohësisht duke e transmetuar nga rrjetet sociale, në mungesë të medieve, tha se Këshilli Mbikqyrës po monitoron situatën.

“Përhapja e pandemisë COVID-19 në Shqipëri përbën një sfidë për ekonominë dhe sektorin tonë financiar. Masat e nevojshme të kujdesit, të marra nga autoritetet publike dhe private për të kufizuar përhapjen e virusit COVID-19 në popullsi, do të kenë dhe një ndikim të dyfishtë në aktivitetin ekonomik. Nga njëra anë, reduktimi i përkohshëm i prodhimit dhe punësimit sjell uljen e ofertës së mallrave e shërbimeve në treg dhe reduktimin e të ardhurave të familjeve. Nga ana tjetër, distancimi social sjell rënien e kërkesës, si dhe tkurrjen e shitjeve, të të ardhurave dhe të likuiditetit të bizneseve.”- u shpreh guvernatori.

Sipas tij, kjo masë është e nevojshme për reduktimin e kostos së huamarrjes së re, për reduktimin e kostos së shërbimit të borxhit ekzistues dhe për lehtësimin e qarkullimit të likuiditetit në bizneset dhe familjet shqiptare. Ajo, tha guvernatori, do të ndihmojë në lehtësimin e presionit mbi bilancet financiare të bizneseve, duke iu dhënë atyre më shumë kohë, hapësirë dhe frymëmarrje për përballimin e goditjes.

Guvernatori Sejko bëri me dije se Banka e Shqipërisë ka injektuar likuiditet në banka, si dhe po garanton funksionimin normal të sistemit të pagesave elektronike. Brenda kufizimit orar të lëvizjes të vendosur nga autoritetet publike, të gjithë operatorët ekonomikë duhet të jenë të vetëdijshëm se sistemi i pagesave do të funksionojë normalisht.

Guvernatori Sejko garantoi qytetarët se Shqipëria gëzon shëndet të mirë ekonomik dhe financiar; parametrat e funksionimit të ekonomisë dhe të sektorit bankar janë të shëndetshëm; rezervat e likuiditetit dhe të kapitalit të sektorit bankar shqiptar janë të larta.

Por, Këshilli Mbikëqyrës vëren se minimizimi i pasojave afatgjata të pandemisë kërkon përpjekje serioze, të koordinuara dhe të harmonizuara, nga të gjitha autoritetet publike dhe private në vend.

 Ai tha se masat monetare, rregullatore dhe institucionale, do të qëndrojnë në fuqi për sa kohë do të jetë e nevojshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë