Treg

BSH: Pandemia tronditi fort tregun valutor, leku u nënçmua ndjeshëm

Banka e Shqipërisë deklaron se edhe tregu valutor është prekur nga pandemia globale.

Kjo ka ndodhur në 10 ditët e fundit të muajit mars, menjëherë pasi në Shqipëri u raportuan rastet e para zyrtare me Covid-19 dhe qeveria urdhërozi izolimin.

“Me përhapjen e pandemisë Covid-19 në vend, tregu valutor pësoi një goditje të fortë dhe të pazakontë. Diktuar nga një pasiguri e agjentëve të tregut, vëllimet e tregtimit u reduktuan, marzhet mes çmimit për blerje dhe shitje të monedhave u zgjeruan, leku u nënçmua ndjeshëm dhe luhatshmëria e kursit të këmbimit u rrit. Deri në fund të muajit mars, leku humbi rreth 6.6% të vlerës së tij kundrejt euros, ku kursi eur/lek u rrit nga 122.89 në 131.06 në më pak se dy javë.”- citon Banka në raportin e Politikës Monetare të tremujorit të parë të vitit.  

Por, sqaron Banka, goditja rezultoi afatshkurtër. Në muajin prill, tregu valutor shkoi gradualisht drejt normalitetit; spread-et e kuotimeve po ngushtohen, luhatshmëria ka rënë dhe leku ka rifituar rreth 80% të vlerës së humbur në fund të muajit  mars.

Për më tepër, në treg, sqaron Banka, nuk janë krijuar pozicionime në blerje apo shitje nga aktorët e tregut, dhe as pritje të njëanshme mbi perspektivën afatshkurtër të kursit të këmbimit. Niveli aktual i kursit prej 125 eur/lek është pranë nivelit mesatar të muajit prill të vitit të kaluar.

BSH tregon se goditje të ngjashme, si rrjedhojë e përhapjes së pandemisë Covid-19, janë vërejtur në të gjitha vendet e rajonit që zbatojnë regjim të lirë të kursit të këmbimit (Çeki, Hungari, Poloni). Po ashtu, reagimi i tregut valutor në këto vende është i ngjashëm, ndonëse përmasat e goditjes dhe kohëzgjatja e saj ndryshojnë. Në mënyrë të veçantë, shkalla e nënçmimit të monedhave përkatëse varet edhe nga profili i sektorit të jashtëm të ekonomisë së secilit vend. Vendet me nivele të larta të investimeve të huaja të portofolit kanë vuajtur tërheqjen e menjëhershme të kapitaleve nga investitorët pas përhapjes së Covid-19. Ndërkohë, vendet me profil eksportues janë dëmtuar nga ndërprerja e përkohshme e prodhimit dhe tregtisë në kuadër të masave kufizuese për të parandaluar përhapjen e virusit, ashtu si Shqipëria.

Teksa vlera e lekut kundrejt monedhave të huaja do të shfaqej relativisht e qëndrueshme në dy muajt e parë të vitit dhe gjysmën e parë të muajit mars. Kursi eur/lek shënoi mesatarisht 122.4 lekë, duke qëndruar pranë nivelit mesatar të muajit dhjetor.

Mbiçmimi vjetor i lekut në këtë periudhë ishte 1.9%, lehtësisht më i lartë se mbiçmimi i vërejtur në fund të vitit të kaluar.

Kursi usd/lek ishte i qëndrueshëm në muajin janar, pranë niveleve të muajit dhjetor, prej rreth 110.0 lekë/usd. Më pas, vlera e dollarit amerikan ka qenë relativisht e luhatshme, duke reflektuar luhatjet e tij në tregun botëror.

Në terma mesatarë, në muajin shkurt dhe në 18 ditët e para të muajit mars, ai ka kushtuar përkatësisht 111.9 lekë/usd dhe 109.7 lekë/usd. Ecuria e dollarit amerikan në vend ka reflektuar gjithashtu goditjen e tregut valutor në fund të marsit; kursi usd/lek u rrit në 118.8 lekë/usd, me një nënçmim të lekut prej 8.2%. Në 10-ditëshin e dytë të muajit prill, ai është luhatur rreth nivelit 115.3 lekë/usd ose rreth 4.3% më shumë se një vit më parë.

Banka shpjegon se ecuria e lekut në tremujorin e parë të këtij viti është karakterizuar nga një forcim i lehtë i tij kundrejt tremujorit të fundit të vitit të kaluar, prej 0.4%. Mbiçmimi vjetor i lekut shënoi rritje këtë tremujor, në 2.8% nga 1.7% në tremujorin e mëparshëm, duke reflektuar thuajse në të njëjtën masë mbiçmimin e lekut kundrejt euros dhe lirës turke. Ecuri të ngjashme ka shfaqur edhe kursi real; forcimi real vjetor shënoi 2.2% në tremujorin e parë të vitit, nga 1.0% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Analiza i përket periudhës deri më 24 prill. Por sipas raportimit të përditshëm të Bankës së Shqipërisë, vërehet se monedha e përbashkët europiane ka nisur të bjerë deri në fund të prillit, ka nisur kurbën rritëse në fillim të muajit maj duke u këmbyer me 124,4 në datën 7 të këtij muaji dhe ka nisur sërish të bjerë. Sipas kursit të sotëm, (e premte) të BSh-së, një euro është këmbyer me 123, 37 lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë