Para

BSH nuk rrit normën bazë të interesit, percepton rrezik

Me gjithë performancën pozitive të ekonomisë, siç përshkruhet nga qeveria dhe BSH, Këshilli Mbikqyrës, ndryshe nga ç’deklaroi guvernatori Gent Sejko në funddhjetor 2018-të se do të rriste normën bazë të interesit, e ka lënë atë të pëndryshuar në nivelin 1%.

Në konferencën rutinë për shtyp pas Mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës, sot guvernatori Sejko është shprehur se “në raport me parashikimet e kaluara, kthimi i ekonomisë në ekuilibër dhe i inflacionit në objektiv janë shtyrë lehtë në kohë. Ky rishikim është ndikuar më së shumti nga parashikimet më pesimiste për ekonominë e huaj. Po ashtu, ai reflekton nevojën për thithjen e plotë të goditjeve të ofertës në inflacion dhe shuarjen e plotë të efekteve frenuese që vijnë nga kursi i këmbimit.”

Nisur nga këto konsiderata, tha Sejko, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika monetare do të vijojë të mbetet stimuluese edhe gjatë horizontit afatmesëm dhe vendosi: të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin aktual prej 1.00%; dhe, të mbajë të pandryshuara normat e interesit të depozitës dhe të kredisë njëditore, përkatësisht në nivelet 0.1% dhe 1.9%.

Gjithashtu, duke gjykuar mbi skenarin bazë dhe balancën e rreziqeve, guvernatori bëri me dije se Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se normalizimi i politikës monetare do të jetë mjaft i kujdesshëm. “Në çdo rast, intensiteti i stimulit do të përshtatet me shpejtësinë dhe qëndrueshmërinë e përmirësimit të aktivitetit ekonomik, ndërkohë që Banka e Shqipërisë mbetet e gatshme të reagojë ndaj goditjeve të mundshme.”- tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë