Treg

BSH në errësirë të idesë së Ramës për kuadër rregullator për monedhat virtuale

Ministria e Financave i përgjigjet Gazetës “Si” se nisma e deklaruar nga Kryeministri Rama do ditë më parë në lidhje me ngritjen e një kuadri rregullator për monedhat virtuale do të ngrihet si çështje në mbledhjen e radhës të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë.

Kurse Banka Qendrore u shpreh për Gazetën “Si” se nuk është në dijeni në rrugë zyrtare për një nismë të tillë. “Ne jemi në dijeni vetëm sa është përmendur në media” – thotë Banka e Shqipërisë, teksa është institucioni kompetent për cështjen në fjalë.

“Lidhur me kërkesën tuaj, Ju bëjmë me dije se Banka e Shqipërisë në këtë faze nuk disponon informacion të mëtejshëm për të dhënë një prononcim, përveç çka kemi lexuar dhe dëgjuar në media.

Gjithashtu ju informojmë se Banka e Shqipërisë e ndjek në vazhdimësi me vëmendje ketë çështje dhe i komunikon publikut sa herë ka një vendimmarrje lidhur me të.”-citon Banka në e-mailin dretuar gazetës.

Banka e Shqipërisë shpesh nxjerr qarkore këshilluese për qytetarët që të kenë kujdes nga investimi në monedha virtuale sepse është një sektor i parregulluar dhe i pa mbikëqyrur.

Malta është parajsa e parë në botë që mbron Blockchain dhe kriptovalutat.

Ka qenë data 4 korrik 2018 ajo që ka shenjuar një ditë historike për Maltën, pasi parlamenti maltez kaloi zyrtarisht 3 projektligje, duke vendosur krijimin e kuadrit të parë rregullator për blockchain, kriptovalutat dhe DLT (Distributed Ledger Technology).

Kurse Kantoni Zugo në Zvicër është qyteti i parë në botë që ka lejuar pagimin e taksave në Bitcoin.

Administrata bashkiake ka zyrtarizuar që prej 1 korrikut 2018 se  25 mijë banorët e saj mund të përdorin Bitcoinin e famshëm si monedhë për pagimin e taksave.

I pozicionuar në veri të Zvicrës pranë malit Zugerberg, Zugo është e njohur në botë mbi të gjitha për lehtësirat fiskale ndaj biznesit dhe qytetarëve.

Me sa duket Shqipëria do të renditet e dyta në botë për këtë “innovacion” falë një deklarate të kryeministrit Rama, gjatë ceremonisë së nisjes së punimeve të TAP në det.

Ai u shpreh më datën 19 tetor se,“Për të krijuar tregje të reja perspektivë për vende pune që paguhen shumë më mirë, për njerëzit e kualifikuar dhe më profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluara apo në rrugën e zhvillimit sot në botën ku jetojmë jemi duke eksploruar edhe  mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën që është një risi shokuese në botën e sotme. Mundësia për të qenë inovativë dhe për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare me një inovacion është e hapur për të gjitha vendet pavarësisht sa të zhvilluara janë. Për momentin jemi në një proces vlerësimi pune për hartimin e kuadrit rregullator pasi i kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar dhe nëse rezultatet do të jenë të kënaqshme ne do të promovojmë dhe përtej kufinjve të Shqipëri gatishmërinë për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale”.

 

Më Shumë