Futboll

Broja vendimtar për Çelsin, fiton penallti në shtesë dhe prish humorin e Guardiolës

Gazeta Si – Mançester Siti ishte duke fituar 3-4 në një ndeshje rokamboleske ndaj Çelsit, por humori i Pep Guardiolës është prishur në fund. Ishte minuta e fundit e kohës së rregullt dhe në fushë u fut sulmuesi kuqezi, Armando Broja, i cili u bë menjëherë protagonist.

Me një lëvizje të bukur në zonë, Broja fitoi një penallti në minutën e 4-t shtesë, që Palmer e ktheu në gol dhe ndeshja përfundoi në barazim 4-4. Kanë mjaftuar vetëm pak minuta që futbollisti shqiptar të bëhet vendimtar për skuadrën e tij.

Pas këtij barazimi, Mançester Siti ruan kryesimin e Premier Ligës, por tashmë me vetëm një pikë diferencë nga Liverpuli. Çelsi në anën tjetër mban vendin e 10-të në kampionat me 16 pikë.

Me këtë episod pritet që të shtohen edhe polemikat në lidhje me lënien jashtë liste të Brojës nga trajneri Silvinjo, edhe pse është e qartë se sulmuesi nuk është në 100% të formës së tij, pasi vjen nga një dëmtim. Ai mund të luante qoftë edhe si zëvendësues në dy ndeshjet e fundit kualifikuese të Euro 2024 ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe, që luhen respektivisht më 17 dhe 20 nëntor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë