Futboll

Broja grumbullohet me skuadrën, trajneri i Fulhemit bën një hap prapa për sulmuesin kuqezi

Gazeta Si – Pas tri ndeshjesh jashtë skuadre, Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares shqiptare, është grumbulluar nga trajneri Silva për sfidën e Fulhemit me Njukasëllin dhe ka luajtur pak minuta në fundin e saj.

Një hap prapa ky nga trajneri portugez i Fulhemit dhe një shans për futbollistin shqiptar. Broja e nisi nga stoli këtë ndeshje, por pozitiv është fakti se ai ishte në dispozicion të skuadrës dhe zbriti në fushë, edhe pse 5 minuta nga fundi.

Broja me fanellen kuqezi. Gazeta Si, 6 prill 2024

Nëse do të vazhdonte të mos grumbullohej, do të ishte vërtet një problem i madh për lojtarin dhe trajnerin Silvinjo, sepse po afron Europiani dhe minutat janë të domosdoshme për të shkuar në Gjermani në një formë sa më të mirë sportive. Tani shpresat janë që Broja të luajë qoftë edhe si zëvendësues në Premier Ligë.

Një situatë të ngjashme me atë të Brojës po kalon edhe Jasir Asani në Korenë e Jugut, ku trajneri e ka lënë jashtë skuadre për ndeshjet e fundit. Edhe ai është një element shumë i rëndësishëm për Kombëtaren dhe duhet të luajë për të fituar formën.

Për momentin, sa i takon sulmit kuqezi, pozitiv është rikthmi nga dëmtimi i Myrto Uzunit dhe “zgjimi” i Nedim Bajramit me një gol dhe asist për Sasuolon në ndeshjen e fundit të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë