Njerez

Britanikët i kthejnë pasaportën 33-vjeçarit që ja hoqën me dyshimin se ishte shqiptar

Aventura e hidhur e 33-vjeçarit Fatush Lala, që për më shumë se dy javë mbeti person pa shtetësi u mbyll me një fund të lumtur. Autoritetet britanike u tërhoqën nga vendimi i revokimit të pasaportës për të pas publikimit të lajmit në mediat ndërkombëtare.

Lala denoncoi rastin e tij tek “The Independent”, ku deklaronte se kishte lindur në Serbi në vitin 1986 dhe rrëfente se si më 20 janar mori vesh se iu ndalua hyrja në Angli pasi pasaporta i ishte revokuar nga “Home Office”.

Pak orë pas publikimit të këtij lajmi Lala rrëfeu sërish për gazetën në fjalë se kishte marrë një telefonatë nga Ambasada Britanike në Bruksel që i kishte kërkuar që të paraqitej personalisht tek zyrat e saj. Këtu i është dorëzuar sërish pasaporta, kundrejt një gjobe prej 100 paundësh.

Autoritetet britanike pretenduan se i riu kishte marrë pasaportën britanike në mënyrë të paligjshme, pasi kishte gënjyer mbi vendlindjen e tij. “Home Office” dyshonte se Lala nuk kishte lindur në Serbi në 1986, por në Shqipëri më 1985-ën.

Fatush Lala rrëfeu se në Angli kishte mbërritur në vitin 1999 në moshën 14-vjeçare dhe në përfundim të arsimimit ishte pajisur me pasaportën vendase.

Për rastin e tij ndërhyu edhe deputeti laburist, David Lammy, që mbulon zonën e Totenhemit, ku jeton aktualisht Fatush Lala.

“Fatush Lala kishte një pasaportë britanike, por u bë qytetar pa shtetësi nga “Home Office” pa asnjë paralajmërim. Ai është bllokuar në Bruksel. Është çnjerëzore dhe e paligjshme për çdo vend që të zhveshë qytetarët e vet nga shtetësia”, tha ai.

https://twitter.com/DavidLammy/status/1227862205321895938

Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë