Njerez

Anglia i anulon pasaportën “serbit” me emrin Fatush Lala, dyshon se është shqiptar

Fatush Lala mbërriti në vitin 1999 në moshën 14-vjeçare në Britaninë e Madhe. Para autoriteteve ai tha se kishte lindur në Serbi dhe ishte larguar prej andej për shkak të luftës. Ai përfitoi menjëherë lejen e qëndrimit si minoren dhe nisi arsimimin.

Pasi përfundoi universitetin Fatushi mori pasaportën britanike, të cilën e gëzonte deri pak ditë më parë. Sot, Fatush Lala është një qytetar pa shtetësi. Autoritetet britanike ja revokuan pasaportën që i kishin dhënë rreth një dekadë më parë duke deklaruar se ajo ishte lëshuar në kundërshtim me ligjin.

Lala këmbëngul se ka lindur në vitin 1986 në Serbi. Por, autoritetet britanike besojnë se ai ka lindur në vitin 1985 në Shqipëri dhe për këtë arsye ja kanë revokuar pasaportën. Njoftimi i është dorëzuar më 5 dhjetor 2019 në banesë, megjithëse Fatush Lala pretendon se nuk e ka marrë atë.

Pas Vitit të Ri ai ka udhëtuar në drejtim të Bullgarisë për pushime. Nga Bullgaria ka bashkëshorten e tij. Të dy bashkë kanë udhëtuar në përfundim të ditëve të pushimit në drejtim të Londrës me tranzit Brukselin.

Por, pikërisht në Bruksel autoritetet në aeroport e ndaluan duke i komunikuan se pasaporta e tij ishte e pavlefshme dhe se ai vetë rezultonte person pa shtetësi. Me pasaportën e pavlefshme në dorë, Fatushi iu drejtua ambasadës britanike në Belgjikë me shpresën se do t’i zgjidhej halli që i kishte dalë.

Në një rrëfim për “The Independent”, Fatush Lala thotë se e vetmja ndihmë që mori ishte këshilla e punonjësve të ambasadës që të kërkonte ndonjë strehë nëpër organizatat dhe shoqatat e bamirësisë, ndërsa i sekuestruan edhe pasaportën e pavlefshme.

Bashkëshortja bullgari qëndroi me të deri më 31 janar në Bruksel dhe më pas u largua nga frika e Brexit. Që prej asaj kohe, 33-vjeçari thotë se ka mbetur në rrugë, pa shtetësi dhe se fle nëpër stacione autobusi, trenash dhe metroje.

“Unë e kam ndërtuar jetën në Angli. Nuk jam jetë asgjëkundi tjetër. Aty ku jeton, aty e ndërton jetën tënde. 20 vite të mira të jetë time i kam kaluar atje (Angli) dhe nuk kam patur kurrë probleme. Nuk kam asgjë dhe askënd në Serbi dhe nuk mendoj se është e sigurtë për mua atje, prandaj u largova”, rrëfen ai.

Për rastin e tij ka ndërhyrë edhe deputeti i zonës ku Lala banon në angli, laburisti David Lammy.

“Zoti Lala meriton që të drejtën që të mbrojë vetveten dhe shtetësinë britanike, e cila iu hoq pa asnjë paralajmërim. Është e jashtëligjshme për çdo vend që të zhveshë qytetarët e tij nga shtetësia. Është jonjerëzore, mizore sidomos për një njeri që ka ardhur këtu vetëm 14 vjeç dhe e quan Britaninë e Madhe shtëpi të tij”, deklaroi ai.

“The Independent” kontaktoi edhe me “Home Office” dhe thotë se një zëdhënës i ka deklaruar se kjo zyrë nuk komenton rastet individuale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë