Ne rrjet

Britania në ankth, kryeministri Boris Xhonson, shtrohet në terapi intensive

Britania e Madhe është pushtuar sot nga ankthi, pasi kryeministri Boris Xhonson, është transferuar në një njësi të kujdesit intensiv pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua ndjeshëm. Kreu i qeverisë britanike u shtrua në spital mbrëmjen e së dielës, 11 ditë pasi rezultoi pozitiv me koronavirus, dhe ishte vendosur sot në oksigjen. Xhonson ështe lideri i dytë i infektuar me koronavirus pas kryemistrit kanadez, Justin Trudeau.

Duke iu përgjigjgur shqetësimit të mediave, një zëdhënës i Downing Street konfirmoi se gjendja shëndetësore e kryeministrit nuk ishte e qëndrueshme. Që nga e diela në mbrëmje, Xhonson ka qenë nën kujdesin e mjekëve në Spitalin St Thomas ', në Londër, por simptomat kanë ardhur duke u ashpërsuar dhe me këshillën e ekipit të tij mjekësor, kryeministri është transferuar në njësinë e kujdesit intensiv.

Kryeministri i ka kërkuar Sekretarit të Jashtëm Dominic Raab, i cili është Sekretari i Parë i Shtetit, të zërë vendin e tij, aty ku është e nevojshme.

“Kryeministri është nën kujdesin e jashtëzakonshëm të mjekëve dhe falënderon të gjithë stafin e  spitalit për punën dhe përkushtimin e tyre të palodhur”, tha zëdhënësi i Dwëning Street. “Kryeministri është i vetëdijshëm dhe është zhvendosur nën kujdes intensiv si masa paraprake në rast se i duhet ventilator.”

E fejuara shtatzënë e Xhonson është po ashtu nën kujdesin e  mjekëve pas ashpërsimit të simptomave të koronavirusit.

Carrie Symonds, 32 vjeç, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në Twitter se e ka kaluar javën e kaluar në shtrat, por se rikuperohet. Symonds, e cila pritet të lindë në fillim të verës, është në grupin e personave më të rrezikuar nga koronavirusi. Ajo mësohet të jetë infektuar nga kryeministri Xhonson dhe prej më shumë se 10 ditësh është larguar nga Doëning Street, për t’u izoluar në apartamentin e saj, ku ndodhet nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.

“Të qënit shtatzënë me Covid-19 është padyshim shqetësuese”, shkruan ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë