Kosova

Britania dërgon trupa shtesë në Kosovë

Nga Gazeta 'Si'-Britania e Madhe do të dërgojë trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesë të kësaj të fundit, pas sulmit vdekjeprurës ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit javën e kaluar.

Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe njoftoi të dielën(1 tetor) se do t’i zhvendosë rreth 200 trupa shtesë në kontingjentin e saj në Kosovë, i cili ka tashmë 400 ushtarë britanikë, në ditët në vijim.

“Kjo njësi e ushtrisë britanike do t’i bashkohet forcës së NATO-s në Kosovë, pas një kërkese specifike nga komandanti suprem i Aleancës për Evropën, SACEUR, gjenerali amerikan Chris Cavoli”, thuhet në njoftim.

Vendimi i NATO-s për shtimin e trupave paqeruajtëse në Kosovë vjen një javë pasi Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i armatosur serb në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë.

Policia e Kosovës e gjeti dhe e konfiskoi një arsenal të jashtëzakonshëm armësh në Banjskë dhe përreth në ditët pas sulmit.

Të dielën pasdite, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se vendi i tij ka mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën për një kohë të gjatë në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë