Njerez

Britani, 80 shqiptarë janë dënuar me 130 vite burg vetëm në 4 muajt e parë të vitit 2023

80 emigrantë shqiptarë janë dënuar me 130 vite burg në total vetëm në katër muajt e parë të këtij viti, shkruan ‘The Telegraph’.

Ata janë dënuar për vrasje, përdhunim, sjellje të dhunshme, përdorim të armëve të zjarrit, rrëmbim, vjedhje dhe prodhim kanabisi në fermat e drejtuara nga bandat.

Zbulimi u bazua në një analizë të detajuar të çdo çështjeje gjyqësore në Angli dhe Uells në katër muajt që nga 1 janari 2023. Vitin e kaluar, një rekord prej 12,301 shqiptarësh arritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla, që përfaqëson një të katërtën e totalit prej 45,755.

Shifrat vijnë ndërsa Robert Jenrick, ministri i emigracionit, filloi një turne pesë-ditor në Afrikën e Veriut dhe Europë për të rritur bashkëpunimin me vendet e tjera, me shpresën e arritjes së marrëveshjeve të ngjashme me Shqipërinë për të frenuar fluksin e emigrantëve dhe aktivitetin e bandave të kontrabandës së njerëzve.

Zyrtarët në Agjencinë Kombëtare të Krimit thanë se një “numër i konsiderueshëm” i emigrantëve shqiptarë kanë shkuar në Britani për të punuar për bandat e organizuara kriminale të drogës dhe po dërgojnë “qindra miliona paund” në Shqipëri.

Sipas agjencisë, midis mundësisë që të fitojnë deri në 100 £ në ditë në ndërtim, lavazh ose berberë, dhe të fitojnë 1000 £ në javë si "kopshtar" në një fermë kanabisi është një vendim shumë i vështirë për tu marrë për shqiptarët e varfër.

The Telegraph shkruan se disa shqiptarë kanë shkuar në Britani për të punuar në shtëpi bari, ku shqiptarët kanë kaluar vietnamezët si “mbret” në prodhimin e drogës.

49 nga shqiptarët e dënuar këtë vit u burgosën për prodhimin e kanabisit. Megjithëse Këshilli Dënues rekomandon deri në pesë vjet burg, të 49-të morën dënime më pak se një vit pasi u pranuan fajin për të ulur dënimin. 9 të tjerë u burgosën për posedim ose furnizim me drogë.

Shumë nga krimet më të rënda ishin të lidhura me tregtinë e drogës. Nga 4 vrasësit në listë, dy ishin anëtarë të një bande droge, të përfshirë në një luftë brutale në terren për pronësinë e një ferme kanabisi. Ato vranë një tjetër shtetas shqiptar në maj të 2022 teksa tentonin të vidhnin një dërgesë kanabisi me vlerë 95 mijë paund. Ata u dënuan për vrasje në Gjykatën e Bristolit këtë mars.

Erland Spahiu, 33 vjeç, ishte në mesin e 8 burrave të burgosur pasi ata rrëmbyen dhe vranë një baba të pafajshëm për të cilin gabimisht menduan se kishte përdhunuar një vajzë adoleshente.

Banda torturoi dhe vrau Christopher Hughes, 37 vjeç. Ai pësoi më shumë se 90 lëndime të forta në kokë, qafë, trup dhe gjymtyrë, pas rrëmbimit të tij më 18 shkurt 2022.

Cilido nga shqiptarët e dënuar për më shumë se katër vjet burg përballet me deportim sipas një marrëveshjeje të re për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit në burgjet shqiptare. Britania do të paguajë për të përmirësuar burgjet shqiptare për të deportuar 200 nga kriminelët më të rrezikshëm shqiptarë. Të dënuarit nga një deri në katër vjet gjithashtu do përballen me dëbim.

Shqiptarët janë kombësia më e madhe në burgje me 1393 të burgosur deri në 31 mars, krahasuar me 830 polakë, 823 rumunë, 391 xhamajkanë dhe 380 lituanez.

Kjo do të thotë se shqiptarët janë një në gjashtë, (16 për qind), e të gjithë të burgosurve, pavarësisht se përfaqësojnë më pak se 0.05 për qind të popullsisë së Mbretërisë së Bashkuar.

Një zëdhënës i qeverisë tha se emigrantët që shkelin ligjin do të përballen me peshën e plotë të ligjit, duke përfshirë dëbimin.

“Ne e vlerësojmë komunitetin shqiptar në Britani, por ata që mbërrijnë ilegalisht duhet të dinë se po punojmë për të përshpejtuar largimin e tyre, me mbi 1000 shtetas shqiptarë të kthyer në vendin e tyre që nga dhjetori 2022”.

Burimi: The Telegraph. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë