Lajme

Brexit, bisedimet hyjnë në fazën finale. Britania lëshon pe

Bisedimet mes Londrës dhe Brukselit për të shmangur shkëputjen e Britanisë së Madhe pa marrëveshje kanë hyrë në fazën finale. Delegacionet e të dyja palëve kanë rinisur bisedimet me shpresën se udhëheqësit e BE-së dhe Britanisë do të arrijnë një pakt gjatë samitit të së enjtes. Kryeministri Boris Johnson pritet të përditësojë kabinetin mbi progresin e bisedimeve që kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Pati disa raportime ditën e martë se Londra ishte tërhequr nga çështja e kufirit irlandez, një prej pikave që ndan më shumë palët. Qeveria britanike i vlerësoi bisedimet e fundit si “konstruktive” dhe se një progres ishte arritur.

Erdogan sfidon SHBA: Nuk ndalemi ndaj kurdëve

Presidenti turk, Recep Taip Erdogan dhe Presidenti i SHBA, Donald Trump. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Shtetet e Bashkuara i bënë thirrje Turqisë që të tërheqë trupat e saj nga veri-lindja e Sirisë dhe të ulet në bisedime me Uashingtonin për çështjen e kurdëve. Thirrja e SHBA u refuzua nga Presidenti turk, Recep Taip Erdogan. “Po na thonë ulni armët! Deklaro zjarrpushimin! Ne nuk do ta deklarojmë kurrë armëpushimin”, tha ai ditën e martë. Komentet e tij mbërrijnë para se Turqia të vizitohet nga zv.Presidenti amerikan, Mike Pence. Turqia nisi ofensivën ajrore dhe tokësore në zonat veri-lindore të Sirisë, të kontrolluara nga kurdët fill pas tërheqjes së rreth 1 mijë trupave amerikane të vendosura në kufirin turko-sirian. Ofensiva ka zhvendosur mijëra civilë kurdë, ndërsa është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar se po shkakton një krizë humanitare e kaos, që mund të shfrytëzohet nga ekstremistët e ISIS-it. Gjithsesi, si SHBA, ashtu edhe BE kanë kërcënuar me vendosjen sanksionesh për Turqinë, por pa marrë ende një vendim konkret.

Katalonja po vlon. Dënimi i separatistëve rindez protestat

Protestat në Katalonjë janë rikthyer sërish, dy vite pas referendumit për shkëputjen nga Spanja. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Mijëra persona dolën në rrugët dhe sheshet e Barcelonës për të kundërshtuar vendimin e një gjykata spanjolle që dënoi ashpër udhëheqësit e protestave dhe të referendumit të shkëputjes. Policia vendase njoftoi arrestimin e të paktën 30 personave ditën e martë, pas përleshjeve të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit. Qeveria spanjolle reagoi përmes një deklarate, ku minimizoi protestën duke folur për një “pakicë që synon të imponojë dhunën nëpër rrugët e Katalonjës”. “Nuk është një lëvizje e qytetarëve, por grupe të dhunshme që në koordinim me njëri-tjetrin synojnë që të minojnë bashkëjetesën e qytetarëve në Katalonjë”, thotë qeveria spanjolle. Megjithë këndvështrimin e Madridit, protestat kanë vazhduar dhe pritet që të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në Barcelonë, Tarragona, Girona dhe Lleida, katër qytetet më të mëdha katalanase. Gjykata Supreme spanjolle dënoi së fundmi me nga 9 deri në 13 vite burg 12 udhëheqësit e lëvizjes që organizuan referendumin për pavarësi të Katalonjës në tetor të vitit 2017.

Vizita që paralajmëron një vendim të rëndësishëm të Kim Jong-un

Media shtetërore në Penian publikoi pamjet e Kim Jong-un mbi një kalë të bardhë në Malin Paektu, i konsideruar si mal i shenjtë nga koreano-veriorët. Gazeta Si, 16 tetor 2019

Media shtetërore në Korenë e Veriut shpërndau disa foto të Kim Jong-un mbi një kalë të bardhë në atë që njihet si mali më i shenjtë i koreano-verioprëve. Pamjet tregojnë udhëheqësin e vendit komunist në Malin Paektu të mbuluar nga dëbora. Më shumë se shëtitja, lajm përbën fakti se sa herë Kim Jong-un shëtit këtë mal, një vendim i rëndësishëm në Penian pason. Në 2017, fill pas vizitës në këtë mal, Kim Jong-un kërcënoi Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, se në tavolinën e tij qëndronte gjithmonë gati një buton i armëve nukleare. Megjithatë, ai tha se ishte i hapur për dialog me Seulin. Një vit më vonë, po pas një vizite në këtë mal, Kim zbuti qëndrimin dhe zhvilloi edhe takimin e radhës me homologun koreano-jugor, ndërsa vizita e fundit në këtë mal ka qenë para se Kim Jong-un të pranonte takimin me Donald Trump.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë