Lajme

Vijojnë ekzekutimet në Vlorë, dy të vrarë, plagoset Çipuri

Breshëri të shtënash kanë tronditur qytetin e Vlorës ditën e sotme. Dy persona kanë mbetur vrarë, ndërkohë që mediat lokale theksojnë se të shtënat kanë ndodhur në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.

Të rinjtë e ekzekutuar raportohet se janë Aurest Rexho dhe Arjan Hasani, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Armando Sulejmani. i cili është transportuar në spital.

Burimet nga vendi i ngjarjes thanë se janë dëgjuar dhjetëra krisma armësh, madje sipas banorëve, janë qëlluar më shumë se 2 karrikatorë me fishekë.

Dyshohet se atentatorët kanë qëlluar nga një makinë dhe më pas janë larguar me shpejtësi.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet, por uniformat blu nuk kanë dhënë ende një informacion zyrtar.

Sulejmani nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2016 i ka shpëtuar një tjetër atentati. Ai njihet ndryshe dhe me nofkën “Çipuri” dhe dyshohet se ka qenë anëtar i bandës së Gaxhait.
Sulejmani ka qenë sot në makinë me kunatin e tij Aurest Rexho dhe shokun e tij Arjan Hasani, i njohur me nofkën “Lani”.

Larja e hesapeve
Më 23 maj 2016, në lagjen “Pavarësia” të Vlorës, 42-vjeçari Sulejmani i shpëtoi një atentati tjetër, ku u plagos me një plumb në krah në hyrje të pallatit ku jetonte. Në atë kohë, sipas policisë, atentatorët ishin vrasës me pagesë, por jo profesionistë. Vetë Sulejmani, kur është marrë në pyetje, pati deklaruar se nuk i njihte atentatorët e tij, pasi ishin të maskuar. Megjithëse ai deklaronte se nuk ka pasur armë zjarri në ato momente, burimet policore konfirmonin se ishte qëlluar me pistoletë nga të dyja palët. Në atë kohës “Çipuri” kishte pak kohë që kishte dalë nga burgu.
Ashtu si në atentatin e sotëm, policia asokohe dyshonte se sulmi ndaj “Çipurit” kishte lidhje me larjen e hesapeve, për shkak të vrasjeve për të cilat akozuhet si i ka kryer më parë nga Armando Sulejmani. Ai ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa Gjykata e Lartë ia kishte ulur dënimin duke e dënuar me 16 vite burg. Armando Sulejmani ka qenë i dyshuar për atentatin ndaj Ferdinand Llanajt, akuzë për të cilën u dënua fillimisht me 20 vite burg.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë