Ne rrjet

Krimi i ka mbyllur gojën Vlorës, shteti numëron gjobat

Nga Anila Hoxha-Vlora po zien. Në heshtje , me një heshtje para një furtune . Është ajo heshtja që numeron ditët dhe tek -tuk griset nga zhurma e armëve. Është ajo heshtja që të gjithë e kuptojmë se diku ndërkohe grupet kane veshur dorashkat, kanë bërë gati armët dhe po presin. Shenjestrën. Hesap-larësi mund të jetë duke pritur për shumëçka ka ndodhur brenda apo jashtë qytetit deri në Itali apo Belgjikë. Armë ka plot. Granata plot ,vetëm 40 cope I’u vodhën ushtrisë para një jave. Edhe plumba blind shpues ka plot.

Ashtu si krimi vret kur i ka duart e lira. Herë me porosi nga larg e herë me porosi nga burgu. Se mos hetimet nxorën gjësend për të tjerat që kanë ndodhur. Tek e fundit kush është ai prokuror trim që do i shtrohet hetimit vendshe , kur nesër nuk e di është apo nuk është në sistem. Kush është ai gjyqtar trim që jep masë sigurie duke i rënë “brram” cekanit të drejtësisë, kur shikon se gjyqtari Admir Belishta votoi për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe një ditë më pas u përzu nga sistemi. Dhe në këtë amulli, kush është ai polic trim që do i tunde prangat “pashapeshkut” kur nuk di se ku ka kokën e tij.
Në Shqipëri ka ndodhur tragjedia më e madhe që mund t’i ndodh një vendi: ata që punojnë brenda institucioneve nuk kanë besim tek ligjet. Kane frikë se do flaken në kosh dhe nuk do të kthehen më kurrë. Ndaj duhet qëndruar urtë, ndaj duhen shtyrë ditët, po je në prokurori, lutu universit që dosja të zgjasë e të zgjasë , po je në polici lutu mos të ndeshesh me malin. Veç po je kriminel s’ke nevojë për lutje. Ai që hesap-laresi pret, do dalë doemos në pritë.
Në Vlorë po ndodhin ngjarje të mëdha kriminale mbi të cilat zotëron kodi “Omerta”. “Nuk pashë gjë, nuk di gjë dhe në paça qenë aty , kam qenë në gjumë !” Nuk gjendet një dëshmitar që të flasë , me përjashtim të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, megjithëse edhe ai nuk u dëgjua deri në fund. Prokuroria e Krimeve të Rënda, së bashku me policinë , Shërbimin Informativ vazhdon të jetë e mbuluar nga turpi, ende nuk ka gjetur një presje të vlefshme për vrasjen e gjyqtarit Skerdilajd Konomi , apo dhe shpërthime të tjera të kryera vit pas viti.

Makina e djegur nga antentati me lëndë shpërthyese ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi


Ky qytet ndodhet në pikën ku mund të thuash se asnjë krim nuk ndodh aty për aty dhe për shkaqe banale. Qofshin këto edhe atentate të dështuara si ngjarja e tanishme në lagjen “Pavarësia”. Zyrtarisht shënjestra e radhës është një 37 vjeçar , i cili me drejtesinë ka patur vetëm një problem: armëmbajtjen pa leje . Edhe plagosja e M.M . , i cili ka shpëtuar fal fatit të jetëgjatit , nuk ka lidhje me rastësinë . Shënjestra njihej për shoqerinë me Llanajt dhe Harizajn. Që do të thotë nje grup tjetër ka nisur të numërojë jetë njerëzish me gishtin në këmbëz të armës.
Cfarë po ndodh në Vlorë , mos më thoni që edhe kjo ngjarje nuk është kompetencë e autoriteteve , por e TT apo model AK – 47 moda .

Vendi ku ndodhi atentati i fundit në Vlorë


Në Vlorë mund të ndodhë që të grabitet një bazë ushtarake dhe përpos ca ushtarëve mos t’i hyj gjembi në këmbë askujt tjetër. Në fakt kjo gjë ndodh vetëm në një nga vendet anëtare të NATO-s dhe ky vend quhet Shqipëri. Në Vlorë mund të ndodhë që edhe ata që nuk kanë problem, të ruhen, një Zot e di nga kush!.
Po kujdes gjobat! Aman, përmbushni planin, kur të kalkuloni ato statistikat, aman mos harroni sa shtetas ishin të dehur, sa fluturonin me makinë dhe sa nuk kishin vendosur rripin e sigurisë. Se me këtë rast, edhe jeta e ne shoferëve kokëkrisur shpëtohet, por edhe arka e shtetit mbushet !

Anila Hoxha është gazetare e afirmuar për lajmet nga rendi dhe drejtësia. Aktualisht punon në Top Channel. Ky postim është marrë nga profili i saj në Facebook.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë