Gazeta Si – Armando Sulejmani, ish-anëtari i bandës famëkeqe të Gaxhait në Vlorë, është arrestuar nga policia e Durrësit.
I njohur ndryshe me nofkën “Çipuri”, ai u ndalua mbrëmjen e së martës, teksa lëvizte me një makinë, e cila rezultoi me targa të vjedhura.
I konsideruar nga policia si person me rrezikshmëri të lartë, dyshohet se ai po përgatitej të përfshihej në ngjarje kriminale.
48-vjeçari mësohet se po udhëtonte me mjet tip “Mercedes Benz” në Spitallë dhe kur shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, ai nuk i është bindur urdhrit duke tentuar të largohet me shpejtësi.



Por Armando Sulejmani është kapur nga policia dhe u shoqërua në Komisariat, për veprime të mëtejshme. Targat e mjetit “Mercedes Benz”, që drejtonte 48-vjeçari, i përkisnin një automjeti tip “Land Rover”, të vjedhur në datën 03 nëntor 2023 në Tiranë.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit tip “Mercedes Benz”, janë gjetur targat origjinale të këtij automjeti.
Sulejmani, banues në Vlorë i dënuar më parë për vrasje, u arrestua nga uniformat blu, ndërsa u shpall në kërkim 26-vjeçari me iniciale L. Z., banues në Tiranë, pronar i automjetit që drejtonte 48-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor në vjedhjen e automjetit tip “Land Rover”.
Automjeti tip “Mercedes Benz”, targat e tij dhe targat e vjedhura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një kaçavidë dhe 3 celularë.
Armando Sulejmani është personazh i njohur si për policinë, i dyshuar e akuzuar në disa ngjarje kriminale. Ai po ashtu i ka shpëtuar të paktën 2 atentateve deri më tani. Në vitin 2016, ai i shpëtoi një atentati pranë shtëpisë në lagjen “Pavarësia” të Vlorës.
Edhe në këtë rast ai mbeti i plagosur. Në atë kohë, Sulejmani kishte vetëm pak kohë që kishte dalë nga burgu, pasi kishte përfunduar dënimin për një vrasje.
Në vitin 2019, Sulejmani i shpëtoi një atentati në Vlorë, ku nga të shtënat mbetën të vrarë Arjan Hasani dhe Orest Rexho.
“Çipuri”, i cili dyshohej se ishte dhe objektivi i këtij atentati, mbeti i plagosur.
Për këtë ngjarje 48-vjeçari u arrestua për armëmbajtje pa leje, pasi u zbulua se kishte me vete armë zjarri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.