Rend dhe Ligj

Brenda në seancën kundër Shullazit (transkript)

Në orën 6 të mëngjesit gjykata e krimeve të rënda u rrethua nga policia. Forca të ndërhyrjes së shpejtë, Renea, agjentë krimesh dhe drejtues të policisë së bashku me  drejtorin e përgjithshëm  Ardi Veliu,  qëndruan në gjendje gatishmërie në të gjithë perimetrin e godinës, derisa seanca u mbyll.

Për arsye të paqarta ishte i pranishëm edhe një nga snajperistët e forcave Renea.

Policia jashtë godinës ku u zhvillua seanca

Në proces u paraqitën katër prokurorët që mbajnë edhe  pozicione drejtuese tek krimet e rënda, Donika Prela, Gentian Osmani, Anton Martini dhe Besnik Muçi.

Por seanca dështoi sërish dhe akuza nuk e shpalli dot seancën , shkak u bënë problemet shëndetësore të të pandehurve, çka hedh dyshime se përfundimisht gjyqi Shullazi ka hyrë në rrugë pa krye dhe se tashmë loja do zhvillohet nga të pandehurit.

Banda Shullazi, i dyti nga e majta Emiliano Shullazi 

Po çfarë ndodhi në gjykatë këtë të martë?

Gazeta Si zbardh procesverbalin e seancës gjyqësore

Gjykata : nisim procesin ndaj të pandehurve Emiliano Shullazi e të tjerë. Të pranishëm prokurorët

Prokurorja Donika Prela : më datë 21 shtator , ka një vendim të marrë nga unë, ku unë kam caktuar për këtë çështje prokurorët Donika Prela, Anton Martini, Gentian Osmani dhe Besnik Muçi

Gjykata : na sill shkresën ( prokuroria e dorëzon)

Gjykata : vijojmë me mbrojtësit. I pandehuri Emiliano Shullazi nuk është paraqitur. Ai ka dorëzuar një deklaratë me shkrim në të cilën shpreh mungesën dhe konfirmon vijimin e mbrojtjes nga avokati i tij Vladimir Meçi dhe Ravik Gurra

I pandehuri Gilmando Dani ka paraqitur gjithashtu deklaratë , dhe pohon mungesën dhe mbrojtjen nga avokati i tij Denion Bogdani

I pandehuri Endrit Qyqa ka paraqitur deklaratë ku shpreh mungesën për shkaqe shëndetësore. Ai refuzon që në këtë seancë të përfaqësohet nga avokati i tij Vladimir Meçe

I pandehuri Blerim Shullazi ka dërguar deklaratë , në të cilën thotë se mungon për shkaqe shëndetësore. Ai thotë se kërkon të jetë vetë i pranishëm dhe mos të përfaqësohet vetëm nga avokati i tij Aldo Tabaku. Ndërkohë ka sjellë një shkresë edhe mjeku i paraburgimit i cili thotë se i pandehuri Blerim Shullazi refuzon të mjekohet.

Nga ana tjetër avokati i tij Aldi Tabaku ka dorëzuar pak minuta më parë një kërkesë ku shpreh mungesën , sepse sipas tij duhet te shkojë në spital për një familjar të tij, sepse familjari i tij është  në gjendje të rëndë.

Prokurori Anton Martini: ne kemi informacion se avokati i Blerim Shullazit ishte në ambjentet e gjykatës. Nëse është kështu ..

Avokat Ravik Gurra- prokuror, këto informacionet "nëna jote i tha nënës tënde ", nuk kanë asnjë kuptim. Lëri këto prokuror. Mbi të gjitha duhet të jemi humanë

Avokat Denion Bogdani: dhe kujdes zoti prokuror, mos ngatërroni Kodin e Procedurës Penale , se mos kërkoni të deklarojë mungesën

Avokat Vladimir Meçe: me lejen tuaj e nderuar gjykatë. Më lejoni të them diçka. Shkak i mungesës së avokatit Aldo Tabaku është sëmundja e të atit, ai vuan nga tumori dhe kolegut ju tha se sot i kanë ndërprerë kimioterapinë. Ajo çfarë kërkojmë ne është humanizëm mbi gjithçka. Eshtë e vërtetë , ai ishte këtu, dhe iku 15 minuta përpara se të niste procesi, dhe shkakun e thashë më sipër

Avokat Ravik Gurra: dhe jeni të lutur gjithashtu të keni kujdes kur flasim për shtyrje. Dhe mos bëni shkaktarë avokatët. Ky është një rast fatkeq

Prokuror Anton Martini:  për Blerim Shullazin dhe Endri Qyqe (një moment ngatërron mbiemrin dhe thotë Cyrbja), që deklarojnë mungesën për arsye shëndetësore, kërkoj pezullimin e afateve të paraburgimit.  Për avokatin Aldo Tabako, kërkojmë të njoftohet dhoma e avokatisë sepse mendojmë se ka shkaqe të paarsyeshme. Prokuroria deklaron në këtë moment se e ka përgatitur pretencën. Duke qenë se bëhet shkak mungesa e avokatëve , kërkojmë pezullimin e afateve të paraburgimit

Gjykata - vendim , në këto kushte gjykata shtyn seancën. Për të pandehurin Endri Qyqe,  të njoftohet avokatja kryesisht Eralda Brahimasi, e cila do të zëvendësojë avokatin Vladimir Meçe.  Gjykata vendos të caktojë mbrojtës kryesisht edhe për Gilmando Danin.  Ajo do të jetë Aida Metushi, e cila të njoftohet. Pezullohen afatet e parabugimit.  Gjykata vendos të shtyjë seancën për në datën 2 tetor. Zotërinj prokurorë , besoj jeni në dijeni se ky proces zhvillohet çdo të martë në orën 9, e për këtë data do jetë 2 tetor ditë e martë. Ditën e mirë


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë