Treg

Masat kufizuese nuk po e lejojnë turizmin “të ngrejë krye”

Turizmi shqiptar hyri në një spirale krize fill me shpërthimin e pandemisë por edhe tani pas më shumë se një viti, situata nuk është përmirësuar ende e madje ka rindezur ndjesi të reja pezmatimi ndër aktorët shqiptarë të Unionit Turistik.

Ditën e dielë, 20 qershor, Unioni i drejtoi letër qeverisë ku kërkohej që të zgjerohet fasha orare e lejimit të qarkullimit dhe muzikës si dhe lejimi i eventeve me më shumë se 50 persona, pasi sipas tyre masat po bëhen pengesë për mbarëvajtjen e sezonit veror.

Në një komunikim me GazetaSi.al,Rrahman Kasa, drejtues i Unionit Turistik risolli sërish në vëmendje problematikat me të cilat po haset ky sezon turistik duke e mbajtur fokusin tek turistët të cilët shpesh shprehin pakënaqësi për orën policore por dhe në lidhje me muzikën  pas orës 22:00.

Ai thekson se jo pak herë turistët janë ankuar në lidhje me fashën orare duke u shprehur se kanë ardhur për të kaluar bukur dhe jo për t’u akomoduar nëpër dhoma e se nuk duan pushime me barriera dhe masa kufizuese në fuqi.

Për ta përforcuar më tej, përfaqësues të këtij Unioni theksojnë për gazetën “SI” se me stinën e verës  dhe temperaturat e larta, errësohet më vonë dhe rrjedhimisht duke qenë të angazhuar gjatë ditës, njerëzit i frekuentojnë më shumë në darkë restorantet dhe club-et e natës por fasha orare po kthehet në një pengesë duke e bërë turizmin “të mos ngrejë krye.”

Aktorët e Unionit Turistik kërkojnë nga qeveria edhe lejimin e evenimenteve me më shumë se 50 persona pasi së fundmi, me anë të agjencive turistike, grupe të shumta qytetarësh akomodohen në të njëjtin destinacion por duke qenë të shumtë në numër, jo të gjithë mund të zbavitën në festat apo evenimentet përkatëse.

Rrahmani shprehet për gazetasi.al se tani më shumë se kurrë turizmi ka nëvojë që të rikuperohet dhe ky rikuperim nuk është i mundur për sa kohë ka ende në fuqi fasha orare të cilat krijojnë jo vetëm pakënaqësi por edhe probleme për turistët.

Një ndër këto probleme është dhe fakti se shpeshherë policia rrugore shqiptare ndalon dhe dënon me gjobë shumë nga delegatët që presin turistët të cilët vijnë me charter  në aeroporte dhe kryesisht arrijnë në mesnatë.

Në një situatë të tillë, duket se zinxhiri i hotelerive, bizneseve dhe agjencive që u mbërthyen nga kriza gjatë pandemisë, nuk ka dalë ende nga terreni i vështirë ku u gjendën pavarësisht se rrjedha e gjërave po ndryshon disi.

Në fakt, aktorët shqiptarë të turizmit duket se e parashikonin të gjithë këtë ngërç që do të ndodhte kur fill me hapjen e sezonit të kaluar turistik, rreth 180 prej tyre u organizuan përpara Ministrisë së Turizmit e me pankarta ndër duar pohonin me zemërim se vazhdonin të paguanin rregullisht taksat ndonëse nuk mund të ushtronin aktivitetin e tyre.

Disa nga agjencitë më kryesore në vend pohuan për gazetën “SI” se numri i rezervimeve është rritur por megjithatë një sezon i “shpenguar” turistik është ende shumë larg.

 “Pas zgjedhjeve parlamentare, rezervimet janë rritur ndjeshëm. Ajo që është interesante është fakti se ndryshe nga viti i kaluar kur rezervimet nisnin kryesisht pas datës 15 qershor, këtë vit kanë nisur që në fund të prillit.

Izolimi i gjatë i ka bërë qytetarët ta ndiejnë edhe më të domosdoshme nevojën për të bërë pushime dhe këtë vit fluksi është i madh.

Rezervimet më të mëdha janë bërë për në jug ku disa grupe kanë ikur që tani për shkak të temperaturave të larta.

Aktualisht kanë ardhur dhe operatorët e parë të turistëve të huaj që po bëjnë rezervimet dhe check-inet fillestare e në fakt tendenca duket se është pozitive pavarësisht masava kufizuese.”- tha Erjon Mane, drejtues i Matias Travel për gazetën SI.

 “Kalemi Travel” gjithashtu pohon se rezervimet janë shumë të larta në krahasim me vjet por shumë të ulëta në krahasim me vitin 2019, tregues ky që ditët e mira për turizmin shqiptar janë ende larg në horizont dhe se masat kufizuese nuk do mundësojnë një rikuperim të plotë të sezonit turistik.

Pandemia e gjeti Shqipërinë në kohën kur kishte lënë pas vitin më të mirë historik në turizëm ku të ardhurat nga udhëtimet për vitin 2019 ishin 2.1 miliardë euro dhe kur numri i agjencive të huaja të interesuara për bregdetin shqiptar, por jo vetëm, ishte në rritje. 

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në total, në vend  në 2020 kanë hyrë rreth 1.1 miliardë euro më pak, si rrjedhojë e shpenzimeve të munguara të turistëve.

Duke qenë se turizmi shqiptar është drejtëpërdrejtë i ndikuar nga turistët e huaj, ai ndikohet shumë dhe nga mënyra se si është ecuria e vaksinimit në vendet e tjera dhe nga hapja që do të realizohet në këta vende.

Unionit Turistik në Shqipëri thekson se vitet e fundit në turizmin e organizuar, ata që kanë ardhur janë moshat e vjetra që nuk duan aventurë, por relaks dhe kjo kategori është e interesuar jo vetëm për vaksinimin e tyre por edhe të situatës në vendet ku ata pushojnë kështuqë pesha e ritmit të vaksinimit do të jetë e madhe.

Kështuqë vaksinimi në Shqipëri përveç se si shpresa e parë për sigurinë e jetës duhet parë dhe si një bazë e fortë për t’u rimëkëmbur ekonomikisht.

Në një situatë të tillë ende nuk dihet se sa do të rikuperohet turizmi dhe ashtu si Unioni Turistik, as Shoqata e Tur-operatorëve nuk është krejtësisht optimiste.

Ata shprehen se  suksesi i këtij sezoni turistik mbetet i kushtëzuar jo vetëm nga masat kufizuese por edhe  duke marrë parasysh  faktin se turizmi në pranverë ishte thuajse inekzistent.

Sipas Shoqatës, parashikimet për turizmin mund të jenë deri në 30% më mirë se sezoni i vitit të kaluar, por megjithatë kjo mbetet për t’u vlerësuar mandej.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë